“Ahmetaj”, Vangjeli: Kam komunikuar me ish-zëvendëskryeministrin! Largimi i tij nga Shqipëria nuk lidhet me çështjen

Analisti dhe gazetari Lorenc Vangjeli ka bërë me dije se ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është larguar nga vendi për arsye personale, që nuk kanë të bëjnë në lidhje me kërkesën e SPAK për arrestimin e tij.
Në studion e RTSH 24, Vangjeli u shpreh se ka komunikuar me Ahmetajn të hënën (10 korrik), kur u bë publike kërkesa e SPAK, teksa shton se perceptimi i krijuar ishte se ai do të përballet me akuzat.
Sipas Vangjelit, në momentin që Ahmetaj është larguar nga vendi, as ai dhe as avokatët e tij, nuk kanë patur dijeni në lidhje me kërkesën e SPAK.
“Unë kam komunikuar si gazetar me zotin Ahmetaj ditë e hënë, nuk e pyeta për vendndodhjen, por perceptimi që krijova nga biseda është që ai do të përballej me akuzën. Kam mësuar, duke kontrolluar disa burime alternative, që ikja ka qenë pa lidhje me hapjen e çështjes. SPAK ka ruajtur një sekret të admirueshëm. Është nisur jashtë për një problem të tij personal dhe as ai dhe as avokatët e tij nuk kishin dijeni për kërkesën e Prokurorisë”, ka thënë Vangjeli.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin gjeti dakordësinë në mbledhjen e kësaj të mërkure (11 korrik) që t’i rekomandojë Kuvendit pranimin e kërkesës së SPAK, për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Ahmetajt. Në seancën e së hënës (17 korrik) deputetët do të shprehen me votë për heqjen apo jo të imunitetit të Ahmetajt. Në rast se do të votohet pro kërkesës së SPAK, atëherë i hapet rruga arrestimit të Ahmetajt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




