Kanabisi për qëllime mjekësore/ Opozita: Efektiviteti ekonomik, i dyshimtë! Pr.ligji miratohet në parim nga mazhoranca

Politikë | 3 vite më parë

Pr.ligji për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale ka ndezur debatet në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Deputetët e opozitës kanë deklaruar se ky pr.ligj është mjaft i dyshimtë në lidhje me efektivitetin ekonomik, dhe se sipas tyre, do të jetë në dëm të shoqërisë shqiptare.

Deputeti Tritan Shehu u shpreh se pr.ligji nuk ka të dhëna bindëse se argumenti ekonomik qëndron, ndërsa theksoi se është një masë e marrë nga qeveria për të mbuluar kultivimin ilegal të kanabisit në Shqipëri.

Ai theksoi se kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore e industriale do të ketë efekte negative te brezi i ri, pasi do të konsumojnë më shumë drogë.

“Argumenti më i madh që ka dhënë qeveria për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, është argumenti ekonomik. Për fat të keq në materiale nuk ka të dhëna bindëse se ky argument qëndron. Zakonisht kur ndryshojnë politika të tilla me 180 gradë kryhen studime të plota. Dhe një studim i tillë mungon.

Efektiviteti ekonomik është krejt i dyshimtë. Ministria e Financave që merret më këtë çështje të flasë se si do jenë ndikimet në sektorin ekonomik, sa do jenë të ardhurat shtesë në buxhet, ç’regjim taksash do aplikohet, sa investime do vijnë, të ç’natyre, industri përpunuese apo kapanone?

Është një masë e marrë për të mbuluar kultivimin ilegal të kanabisit në Shqipëri dhe është një rast që po i paguhet nga vendi-kontrabandistëve. Kjo çështje kërkon vëmendje.

Dëshirat mund të jenë të mëdha, por realitete krejt ndryshe dhe kemi dhënë shembullin e Maqedonisë.

Do ndikojë negativisht te brezi i ri, do konsumojnë më shumë drogë. 29 shtete e kanë legalizuar kanabisin në SHBA dhe është konstatuar rritje e ndjeshme e konsumit të kanabisit nga brezi i ri.

Të shohim të gjithë faktorët, jam i bindur që humb shoqëria. Me mijëra hektarë mbillen këtu. Ça punësimi do rrisni, këtu s’ka njerëz? Pse gënjejmë që do rritet industria farmaceutike?”, tha Shehu.

Pas fjalës së tij, Kreu i Komisionit, Eduart Shalsi e ka hedhur në votim në parim pr.ligjin, duke u miratuar vetëm me votat e mazhorancës.

Kalimi i tij në votim në parim, solli reagimin e deputetes demokrate Jorida Tabaku, e cila u shpreh se është e papranueshme që mazhoranca nuk lejon opozitën të shtrojë pyetje, me qëllim që opozita dhe qytetarët shqiptarë të kenë informacione të plota dhe transparencë mbi projektligjin.

Tabaku theksoi se kjo është hera e parë që qeveria shqiptare ka një politikë ekonomike në 10 vite, dhe informacionet janë bosh.

“E papranueshme të mos na lejoni të bëjmë pyetje, jemi këtu të ofrojmë transparencë, qeveria të na japë informacione. Nuk është normale kjo mënyrë drejtimi komisioni, nuk mund ta hedhësh në votim pa marrë informacione.

Nuk ka pasur qeveria shqiptare asnjë politikë ekonomike në 10 vite. Kjo është hera e parë që ky komision diskuton një ekonomi të re dhe ne kemi informacion të mangët.

Informacioni i qeverisë për këtë ligj është bosh, nuk ka informacion për zhvillimin ekonomik që do ketë sektori në të ardhmen. Do hapim një sektor të ri pa informacion. Askush nuk dha llogari mbi zhvillimin e këtij sektori”, theksoi Tabaku.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme