Presidenti Begaj dekreton ndryshimet në trupin diplomatik shqiptar, emërime të reja ambasadorësh në SHBA, Gjermani e Turqi

Politikë | 3 vite më parë

Diplomacia shqiptare përson një sërë ndryshimesh në nivel ambasadorësh. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me propozim të Kryeministrit, Edi Rama, dekretoi të hënën lirimin dhe emërimin e disa ambasadorëve që nga SHBA, Gjermani, Turqi, e deri në Malin e Zi.

Begaj ka liruar Ridi Kurtezi nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi, resident dhe në vend të tij ka emëruar, Zhaklina Peton.

Edhe diplomati, Artur Kuko, është liruar nga detyra si ambasador në Republikën Federale të Gjermanisë, dhe në vend të tij është emëruar, Adia Sakiqi.

Ndërrim ambasadori ka pasur edhe në Turqi. Kastriot Robo është liruar nga detyra e ambasadorit në Republikën e Turqisë, si dhe nga detyra e ambasadorit në Republikën e Azerbajxhanit, të Iranit, Kirgistanit, Pakistanit, Gjeorgjisë, Afganistanit dhe Kazakistanit, dhe në vend të tij është emëruar,  Blerta Kadzadej.

Ndërsa Floreta Faber është liruar me dekret të Presidentit nga detyra si ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Panamasë, Republikës Domenikane, Guatemalës dhe në Republikën e Kosta Rikës, dhe në vend të saj është emëruar, Ervin Bushati.

Adia Sakiqi, gjithashtu, është liruar nga detyra e ambasadores në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta, si dhe  e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Begaj ka emëruar Ridi Kurtezin, si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme