Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetajt, reagon politika

Politikë | 3 vite më parë

Kërkesa e SPAK në Kuvend për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetajt, ka nxitur mjaft reagime.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve nga Kuvendi, duke i kërkuar Kryeparlamentares Lindita Nikolla që të mbledhë pa vonesë ditën e sotme Këshillin e Mandatave dhe Imunitetit.

Po ashtu, edhe ish-kreu demokrat Lulzim Basha ka shkruar në Facebook se s’ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveçse pastrimi i politikës nga elementët korruptivë.

Sipas Bashës, kërkesa e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për arrestimin e Ahmetajt, erdhi pas denoncimit prej kohësh të PD-së për aferën e inceneratorëve.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë apel Ahmetajt që të rrëfejë aktet korruptive të Edi Ramës.

Berisha u shpreh se afera e inceneratorëve ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama që sipas ish-kryeministrit e ka detyruar Ahmetajn të firmosë.

Gazment Bardhi: T’i shkohet deri në fund, edhe tek Edi Rama

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar që të mblidhet Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve nga Kuvendi pas kërksesë së depozituar nga SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetajt.

Bardhi i kërkon kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të mbledhë pa vonesë ditën e sotme Këshillin e Mandatave dhe Imunitetit. 

Basha: Rruga për të pastruar politikën, t’i shkojë edhe Ramës

Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj.

Në një reagim në Facebook, Basha shkruan se s’ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveçse pastrimi i politikës nga elementët korruptivë.

“Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste”, shkruan Basha.  

Berisha thirrje Ahmetajt: Mos u bëj frikacak, trego si të detyroi Rama të firmosësh

Pas kërkesës së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ish-kryeministri Berisha i ka bërë apel atij që të rrëfejë aktet korruptive të Edi Ramës.

Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se afera e inceneratorëve ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama që sipas ish-kryeministrit e ka detyruar Ahmetajn të firmosë.

“Duke mbështetur pa asnjë hezitim çdo zbatim të ligjit, shtoj këtu se në mënyrë të padiskutueshme, kreu i Meduzës së kësaj afere ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama. Është Edi Rama ai që firmosi paf-paf, kur s’duhet të firmoste kurrë. Megjithatë, le ta ndjekim procesin. Nëse më pyet mua ministri i Financave ka përgjegjësitë e veta të padiskutueshme qoftë me veprimin qoftë me mosveprimin”, theksoi Berisha.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme