Përfundon në drekë vizita e Klinton në Shqipëri, ish-presidenti mëngjes pune te vila 31! Policia: Bllokohen për 2 orë disa rrugë

Politikë | 3 vite më parë

Vizita e ish-presidentit amerikanë në Shqipëri, Bill Klinton përfundon sot. Ish-presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lë tokën shqiptare për t’u nisur drejt asaj amerikane, pas vizitës dy-ditore në Tiranë.

Sipas informacioneve siguruar nga RTSH, ish-presidenti Klinton ka zhvilluar një mëngjes pune te vila 31, ndërsa pas dreke niset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Policia e Shtetit publikoi një plan masash në kuadër të vizitës së Klinton në Shqipëri, ndër të cilat përfshinte dhe bllokimin e disa rrugëve. Në këtë kuadër, Policia bëri me dije se gjatë kësaj të marte, nga ora 13:30-15:30, do të jenë të bllokuara rrugët nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”. Po ashtu, gjatë këtij dy orëshi, do të bllokohen dhe rrugët: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.

Ish-presidenti amerikan, mbërriti të hënë (3 korrik) në Tiranë, ku u prit në aeroport nga Kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit, në një ceremoni të posaçme, i ka akorduar ish-presidentit amerikan Bill Klinton, Yllin e Mirënjohjes Publike, një nga çmimet më të larta që jep zyra e Kryeministrisë ndaj figurave të tilla.

Në fjalën e tij, Rama iu drejtua ish-presidentit Klintonit se ai ka qëndruar me Shqipërinë përmes fjalëve dhe veprave të tij duke dëshmuar angazhimin e Amerikës ndaj vendit tonë.

Ndërsa Klinton, në fjalën e tij, pasi vlerësoi miqësinë midis dy kombeve, SHBA- Shqipëri, vuri theksin në faktin se ka vlerësuar komentet e kryeministrit Rama për të në lidhje me Kosovën, por nga ana tjetër ka nënvizuar se kjo ditë do të mbetet një thesar në jetën e tij.

Klinton u shpreh se mbeti mjaft i suprizuar nga pritja që iu bë para kryeministrisë, me disa fëmijë, të cilët mbanin emrin e tij si emër, në shenjë vlerësimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme