Tensionet në veri të Kosovës/ Bill Klinton flet nga Tirana: Duhet ta ndalim këtë marrëzi

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton ka deklaruar nga ceremonia që po mbahet në Tiranë për nder të tij se tensionet në veri të Kosovës duhet të ndalen sa më parë.
Duke u përqendruar në çështjen e katër komunave në veri të Kosovës dhe konfliktit që ato kanë prodhuar mes Prishtinës dhe Beogradit, Klintoni theksoi se “gjëja e parë që duhet bërë është që të ndalet kjo marrëzi” siç e cilësoi ai.
“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im, por kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve për t’u dhënë katër kryebashkiakë më tepër.
Kështu që mendoj se tani kanë bërë një gabim, që të votojnë, mendoj se është e lehtë për shqiptarët tashmë në shumicë që të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre.
Por, gjëja e vërtetë që duhet bërë është që ta ndalim këtë marrëzi”, u shpreh ish-presidenti amerikan, Bill Klinton.
Ai shtoi se nuk përfitohet asgjë nga tensionet dhe konfliktet pasi në veri të Kosovës ka njerëz që jetojnë dhe ata meritojnë një qeverisje vendore të denjë.
“Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tensione. Ka njerëz që jetojnë aty, kanë nevojë të kenë një qeverisje të denjë. Qytetarët kanë nevojë t’u thuhet; duhet të votoni, gjithmonë”, theksoi Klintoni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




