Dumani: 12 çështje të reja për pastrimin e parave! Problem, mungesa e ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë prezantimit të raportit vjetor të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion në Kuvend, teksa deklaroi se ka rritje të hetimeve proaktive krahasuar me 2021, bëri me dije se janë 12 çështje të reja që lidhen me pastrimin e parave.
Duke u ndalur te disa nga problematikat me të cilat përballet ky institucion, Dumani u fokusua te numri i madh i procedimeve të mbartura ndër vite. Sipas tij, prokurorët duhet të fokusojnë energjitë në këto çështje, pasi numri i tyre mbetet i lartë.
“12 çështje të reja që lidhen me pastrimin e parave. Ka rritje të hetimeve proaktive krahasuar me 2021. Problematika më e madhe është numri madh i procedimeve të mbartura ndër vite, ngelet që ky vit, gjashtë muajt në vijim, prokurorët të fokusojnë energjitë në çështjet e mbartura, duhet patjetër ti zgjidhen pasi po bëhen shqetësim”, tha Dumani.
Më tej, ai theksoi se një tjetër problematikë është mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit të organizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Dumani theksoi se ndonëse nuk kanë marrë asnjë refuzim, ende nuk ka asnjë të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke vënë kështu në vështirësi hetimet.
“Mungesa e ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka vënë në vështirësi hetimet.
Procedurat e ekstradimit vazhdojnë, nuk kemi marrë refuzime, por nuk kemi asnjë të ekstraduar nga ky vend”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




