Rama: I gatshëm të takohem me Albinin! Marrëdhëniet me Serbinë kthehen në pikën zero

Kryeministri Edi Rama ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurtin. Ai u shpreh se ngrirja e programeve të caktuara mes SHBA-Kosovë dhe shkëputja e fijeve të Prishtinës me bashkësinë euroatlantike, është katastrofë.
“Të vijë dita të diskutohet luajaliteti i partnerëve strategjikë ndaj Kosovës, është keq, shumë keq. Ju mendoni se mua më jep kënaqësi fakti se meqë s’jam dakord me Albinin atij i kthehen mbrapsht dhe vizitat e planifikuara në zyrat e homologëve në Amerikë? Më duket e tmerrshme. Programe të caktuara të bashkëpunimit të SHBA-Kosovë kanë ngrirë.
Në këtë rast është katastrofë që të këputen në këtë farë feje lidhjet aq të rëndësishme me bashkësinë euro-atlantike.
Kështu që. Unë jam i gatshëm të takohem me Albinin në çdo moment. Në nivelin konceptual kemi probleme të mëdha”, tha Rama.
Ky i fundit, sqaroi edhe njëherë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kthehen në pikën zero nëse Beogradi nuk liron 3 policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe.
“Ndërkohë që këtu s’bëhet fjalë për prishje marrëdhëniesh diplomatike por kthehen në një pikë zero, s’ka marrëdhënie, nuk ka komunikim tjetër. Çdo komunikim në çdo nivel me Serbinë, do jetë lironi 3 policët, deri kur ata të lirohen. Nëse nuk lirohen, vetëm kjo do jetë marrëdhënia. Nuk do ndalohen kamionët”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




