Begaj: Roli i SHBA, vendimtar për paqen në Kosovë

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj ka marrë pjesë në pritjen me rastin e 247-vjetorit të Pavarësisë së SHBA, organizuar nga Ambasada Amerikanë në Tiranë.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit nënvizoi rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për paqen në Ballkan, e veçanërisht për Kosovën.

“Më lejoni të nënvizoj se ne e njohim rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë për paqen në Ballkan e veçanërisht për Kosovën e lirë, të pavarur e të njohur botërisht. Ne e vlerësojmë, dhe nuk harrojmë. Në këtë kuptim ne i jemi pranë Shteteve të Bashkuara si partneri ynë strategjik, por dhe me vullnetin e përkushtimin për prosperitetin e të dy popujve tanë”, tha Begaj.

Presienti Begaj shprehu mirënjohjen për kontributin historik të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të kombit shqiptar.

 “Angazhimi amerikan për integrimin euro – atlantik të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë  mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit tonë. Ky angazhim na detyron të jemi në lartësinë e investimit dhe të pritshmërive dhe ne jemi të kthjellët për rrugën që na duhet akoma të bëjmë në këtë drejtim”, u shpreh Begaj, teksa në përfundim të fjalës së tij, falënderoi Ambasadoren amerikane Yuri Kim, për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë.

“Ju uroj shumë sukses në detyrën e rëndësishme që ju pret. Ju besoj e dini tashmë, por më lejoni t’ju rikujtoj se ne shqiptarët themi: Shtëpia është e Zotit dhe mikut!

 Uroj të gjeni kohë dhe pas përfundimit të misionit në Shqipëri, të kujtoni natyrën, miqtë e pse jo dhe politikën e institucionet tona, por mbi të gjitha të vini në shtëpinë tuaj”, tha Kreu i Shtetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme