Aksioni policor në kampin MEK/ Berisha: Duhet një hetim ndërkombëtar nga OKB

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar mbi kontrollin e ushtruar nga Policia mbi kampin e MEK.  Berisha adresoi akuza ndaj policisë për dhunë të ushtruar ndaj banorëve të Ashrafit, të cilën e konsideron si të papranueshme dhe të dënueshme.

“Të gjitha këto kërkojnë një hetim. Një hetim ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një hetim nga OKB që i ka në mbikëqyrje. Gjithashtu, autorët e dhunës duhet të dalin përpara gjyqit. Si u vra ai që vdiq? Ata që kanë thyer kocka të refugjatëve, duhet të përballen me ligjin. Se thanë spraj, por spraji nuk thyen kocka.
Është e domosdoshme një hetim që të nxjerrë abuzuesit me të drejtat e njeriut. Në njoftimin e DASH ka një element të rëndësishëm që vetë këta shkelin të drejtat e njeriut. Kjo është absolutisht e rëndë. Edhe kjo duhet të jetë pjesë e hetimit të OKB-së. Nuk mund të përdoret kampi i strehimit për të dhunuar të drejtat e njerëzve të komunitetit
”, tha Berisha teksa riktheu në vëmendje marrëveshjen për sjelljen në Shqipëri të muxhahedinëve.

Sipas Berishës, gjatë periudhës së negociimit, nuk parashikohej ngritje e një kampi.

“Marrëveshja për sjelljen në Shqipëri të muxhahedinëve të popullit, ka nisur zbatimin e saj gjatë qeverisë së mëparshme.

Në atë kohë, muxhahedinët e popullit ndodheshin në një kamp në Irak dhe ishin objekt sulmesh, granatimesh të egra dhe të pamëshirshme nga qeveritarët irakianë.

Kërkesës së Departamentit të Shtetit, gjatë një vizite që unë bërë në Uashington, për të marrë dhe strehuar në Shqipëri muxhahedinët, unë i dhashë këtë përgjigje: së pari, po, do marrim një kontingjent pilot për të parë si po ecën sistemi dhe qëndrimi i tyre.

Së dyti, kërkesa e dytë për t’i marrë ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist, sepse ata ishin të listuar nga DASH si grup terrorist.

Kërkesa e tretë ishte që ata në Shqipëri do vinin nën ombrellën e OKB-së. Tani të ndalemi pak te kjo kërkesë, sepse ata duhet të gëzonin pavarësisht nga mikpritja shqiptare, të gjithë të drejtat e njerëzve refugjatë, të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e tyre. Autoritetet e SHBA i kanë pranuar këto kërkesa.

Tani, gjatë periudhës së negociuam dhe i sollëm, nuk parashikohej ngritje e një kampi. Alternativa jonë ishte marrja me qira e banesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe natyrisht asistenca për jetën e tyre normale si mysafirë që do ishin. OKB-në nuk e thirrëm për të ndihmuar me ushqime, por për kuadrin e të drejtave të tyre”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme