Benet Beci, zyrtarisht kryebashkiak i Shkodrës. Takohet me Bardh Spahinë: Derën do ta kesh gjithnjë të hapur

Politikë | 3 vite më parë

Kreu i ri i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka hyrë në zyrën e këtij institucioni. Pasi Beci është betuar si kryetar i ri i kësaj bashkie, ai ka zhvilluar edhe një takim me ish-kreun e këtij institucioni, Bardh Spahia.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beci shkruan se konstituimi i tij në krye të bashkisë përfundoi me takimin me Bardh Spahinë. Ndërsa thekson se dera e bashkisë së Shkorës do të jetë gjithnjë e hapur për të, për të mirën e këtij qyteti. 

“Kënaqësi që mbledhja e konstituimit përfundoi me një takim me z.Bardh Spahia. I urova atij suksese në angazhimet e tij të reja dhe e sigurova se dera do të jetë gjithmonë e hapur për të mirën e Shkodrës”, shkruan Beci.

Beci arriti të thyente bastionin e së djathtës në zgjedhjet vendore të 14 majit duke bërë që Partia Socialiste të fitonte për herë të parë në qytetin e Shkodrës. Benet Beci arriti të fitojë me 11 mijë vota më shumë përballë Bardh Spahisë, kandidatit të së djathtës.

Sipas të dhënave zytare, Benet Beci i Partisë Socialiste mori 34302 vota, e ndërsa Bardh Spahia i koalicionit “Bashkë Fitojmë” arriti vetëm 22678 vota.

Benet Beci ka shërbyer më parë si drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për më shumë se një dekadë para se të angazhohej në radhët e Partisë Socialiste.

Beci arriti të zgjidhej deputet në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021 në qarkun e Shkodrës, ndërsa në zgjedhjet vendore të 14 majit, ai la mandatin për të nisur një detyrë të re, atë të drejtimit të qytetit si kryebashkiak.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme