Kreu i SHISH te Siguria, debate mes deputetëve! Salianji: Po shkelni ligjin. Naço: Kush s’ka certifikatë sigurie, nuk lejohet në mbledhje

Politikë | 3 vite më parë

Ka nisur mes debatesh mbledhja e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Teksa pritej zhvillimi i seancës dëgjimore me Drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, deputetët demokratë kanë kërkuar fjalën për procedurë, por nuk janë lejuar nga kryetari i Komisionit, Nasip Naço.

Kjo gjë shkaktoi debat mes deputetësh duke çuar dy herë në shkëputje nga 5 minuta të punimeve të komisionit.

Naço ka hedhur me votë vendimin për zhvillimin e seancës dëgjimore me dyer të mbyllura, pa prezencën e mediave, për dhënie informacioni konfidencial me deputetët duke hasur në kundërshti nga ana e opozitës.

“Respekto procedurën dhe ligjin. Respekto rregulloren dhe Kushtetutën. Na jep fjalën, mos e hidh në votë si do jetë mbledhja me dyer të hapura apo të mbyllura. Se bëni dot si doni ju”, tha Salianji.

Pasi mazhoranca votoi pro zhvillimit të seancës me dyer të mbyllura, deputetët e opozitës paralajmëruan se nuk do lejonin vijueshmërinë normale të mbledhjes.

Kreu i Komisionit vendosi se deputetët të cilët nuk kanë certifikatën e sigurisë në përputhje me ligjin, nuk do të lejohen të jenë pjesë e kësaj mbledhje.

“Seanca do vazhdojë me ata që kanë certifikatën e sigurisë në përputhje me ligjin, unë personalisht nuk e shkel ligjin. Kush nuk ka certifikatë të largohet nga salla”, tha Naço, teksa vendosi 5 minuta pushim, për t’iu rikthyer dëgjesës me Kreun e SHISH me dyer të mbyllura.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme