Kuvendi mban një minutë heshtje në nder të Silvio Berlusconit

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një minutë heshtje në nder të ish-kryeministrit të Italisë, Silvio Berlusconi.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit, se Berlusconi ka dhënë një kontribut të madh në forcimin e marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë.
Për Ballën, mbajtja e një minute heshtje për kavalierin dhe mikun e Shqipërisë, i bën nder Kuvendit.
“Një minutë heshtje për kavalierin, presidentin e këshillit, kryeministrin italian Silvio Berlusconi, i bën nder Kuvendit”, tha Balla.
Edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka ftuar deputetët e Kuvendit që të mbajnë një minutë heshtje në nder të kujtimit dhe kontributit që Silvio Berlusconi ka dhënë për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Silvio ishte një qeveritar i shquar i Italisë mike. Ka dhënë kontribut për forcimin mes Italisë dhe Shqipërisë. Në nderim të kujtimit dhe kontributit të Berlusconit ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje”, tha Nikolla.
Ish-kryeministri italian ndërroi jetë më 12 qershor në spitalin San Raffaele në Milano. Berlusconi kishte katër ditë që ndodhej i shtruar në spital, ku iu nënshtrua testeve lidhur me leuçeminë kronike mielomonocitare, nga e cila vuante prej disa kohësh.
Berlusconi ishte aksioneri kontrollues i Mediaset dhe zotëronte klubin italian të futbollit AC Milan nga 1986 deri në 2017. Ai është mbiquajtur Il Cavaliere (Kalorësi) për Urdhrin e tij të Meritës për Punën ; ai dha dorëheqjen vullnetarisht nga ky urdhër në mars 2014.
Në vitin 2018, Forbes e renditi atë si njeriun e 190-të më të pasur në botë me një pasuri neto prej 8 miliardë dollarësh.
Berlusconi ishte Kryeministër për nëntë vjet gjithsej, duke e bërë atë kryeministrin më jetëgjatë të Italisë pas luftës dhe të tretin më jetëgjatë që nga bashkimi italian , pas Benito Musolinit dhe Giovanni Giolitti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




