Rama i pranishëm në funeralin e Silvio Berlusconit: Manifestoi një respekt të posaçëm për shqiptarët

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në funeralin e ish-kryeministrit Italian Silvio Berlusconi.

Në një postim në rrjetin e tij Facebook, Rama ka publikuar pamje nga ceremonia e funeralit shtetëror të zhvilluar për ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi e cila u mbajt në Katedralen e Milanos.

Bashkangjitur Rama vlerëson ish kryemnistrin më jetëgjatë në detyrë në historinë e Italisë si një njeri që manifestoi në të gjitha rastet një afeksion e një respekt të posaçëm për shqiptarët.

“Sot në lamtumirën e një personazhi që e jetoi jetën si një rrotullim i plotë i tokës rreth diellit, me të tëra shkallët e dritës dhe errësirës, duke prekur majat në botën e biznesit, spektaklit e sportit dhe duke e kthyer edhe politikën në një spektakël me në qendër vetveten.

Një njeri që e deshi jetën me gjithsej, e jetoi me të gjitha ekzagjerimet e mundshme, e mishëroi me të gjitha dimensionet e qenies së tij të shumëfishtë, jetësim kulmor i shprehjes, “Edhe ëngjëlli edhe djalli rrinë bashkë tek i gjalli.

Si kryeministri më jetëgjatë në detyrë në historinë e Italisë, Silvio Berluskoni manifestoi në të gjitha rastet një afeksion e një respekt të posaçëm për shqiptarët”, shkruan Rama.

Silvio Berlusconi ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 86-vjeçare.

Në Itali është Ditë Zie Kombëtare dhe Kuvendi atje ka ndërprerë punën për një javë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme