Anulimi i mbledhjes së përbashkët, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës: I njëanshëm, takimet dypalëshe mund të mbaheshin ditë tjetër

“I njëanshëm”, kështu e ka konsideruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, anulimin të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, që ishte planifikuar për t’u mbajtur në Gjakovë të mërkurën (14 qershor).
Në një reagim për mediat, Kryeziu është shprehur se në takim do të firmoseshin 13 marrëveshje që do t’i shërbenin të dy vendeve, teksa ndalur te kërkesa e kryeministrit Edi Rama për takim të ngushtë me Albin Kurtin, ai thotë se takime të tilla dypalëshe mund të mbaheshin në çdo ditë tjetër.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato. Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë se Kosovës.
Në një konferencë për shtyp, kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë (13 qershor) anulimin e takimit të përbashkët të dy qeverive, duke u shprehur se në kushtet kur marrëdhëniet e Kosovës me aleatët perëndimor kanë agravuar, takimi nuk mund të zhvillohet në formatin e përcaktuar. Rama u shpreh se i kishte kërkuar Kurtit takim në një format më të ngushtë, por theksoi se kërkesa e tij ishte refuzuar nga kryeministri i Kosovës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




