“Në zgjedhje votuan fëmijët 10-vjeçarë’, Berisha: Shullazi presion të burgosurve për të votuar Erion Veliajn

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se po vijon verifikimin e rezultat të procesit elektoral të 14 majit. Në një dalje për mediat, Berisha hodhi akuza se në zgjedhjet vendore, kanë votuar fëmijët nga 10-vjeç. Pas përfundimi të analizës së plotë, Berisha paralajmëroi protesta të fuqishme me qëllim rikthimin e votës së lirë.

“Analiza në PD nuk ka filluar sepse siç po konstatoni, ne jemi çdo ditë në analizë të procesit elektoral. Jo çdo gjë është në duart tona. Nuk është në duart tona, materialet që na duhen, janë në duart e institucioneve të shkatërrimit të zgjedhjeve, janë në duar të afateve të gjykatave. Janë një seri procesesh që kërkojnë durim dhe kohë. Por ne do i shkojmë gjer në fund. Ne sot ju informuam se kemi paraqitur me video se si në Elbasan, në të paktën 70 përqind të qendrave, operatori ka shkatërruar votimin. Me video. Ky është rezultati kur e bën komisionin 7 me 0, kur voton fëmija 10 vjeç. Me të mbaruar kjo analizë që e kemi detyrim absolut, përndryshe ne bëhemi bashkëfajtorë në farsën elektorale, ne legjitimojmë farsën elektorale. Ne nuk e bëjmë kurrë, nuk pajtohemi. Në mbyllje të kësaj, do jetë analiza. Me kaq seriozitet do bëjmë edhe analizën në PD dhe do ndërmarrim protestat e fuqishme për rikthimin e votës së lirë”, tha ai.

Ish-kryeministri vijoi më tej akuzat, duke u ndalur te manipulimi në burgje. Sipas tij, në burgun 313 rreth 600 të burgosurve iu është bërë presion nga i shumëkërkuari Emiljano Shullazi dhe nga grupi i tij, për të votuar Erion Veliajn.

“Gjithashtu një manipulim i tmerrshëm është bërë në burgjet e Shqipërisë. Informoj publikun se në burgun 313, ku ndodhen rreth 600 të burgosur, të burgosur nga grupi i Shullazit dhe vetë Shullazi, iu janë bërë format më të egra të presionit.

Shullazi dhe grupi i tij, është lejuar në kundërshtim flagrant me rregulloren e burgut, të kalojë nga kati në kat për të ushtruar terror mbi të burgosurit për të votuar për Erion Veliajn. Të burgosurve iu është kërkuar deklaratë, por ka nga ata që kanë refuzuar deklaratën për dinjitetin dhe nuk kanë firmosur për të votuar për Erion Veliajn. Në listën e zgjedhësve ka pasur gjithsej 130 votues, në ditën e votimit kanë votuar 300 votues”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme