Transferimi i Albanologjisë/ Zhupa: Vendimi në shkelje të Kushtetutës! Kushi: Është riorganizim, janë në paligjshmëri

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa në interpelancën me Ministren e Arsimit Evis Kushi në lidhje me transferimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike te Akademia e Shkencave, akuzoi për shkelje të ligjit.
Në fjalën e saj në Kuvend, Zhupa tha se VKM për transferimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike është në shkelje të Kushtetutës, për shkak se po shkrihet një institucion që rektorin e ka të dekretuar nga Presidenti dhe i shkelet liria akademike e mbrojtur nga Kushtetua.
“Sot kemi një VKM të miratuar me shumë shpejtësi edhe në mungesë të kryeministrit vetëm se nuk priste mbyllja e Albanologjisë. Ministrja Kushi i lavdëronte Akademinë e Studimeve Albanologjik, ndërsa Skënder Gjinushi nuk e fshihte që donte ta shkrinte dhe ta bënte një xhep të Akademisë së Shkencave. Reformat në këtë vend i bën Skënder Gjinushi. Ai thotë që ashtu siç ikën me VKM ashtu do të vijnë me VKM. Bëtë një VKM për t’i plotësuar dëshirat politike Skënder Gjinushit. VKM për të mbyllur Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe e bëtë vasale të Akademisë së Shkencave. Justifikimi tjetër ishte që aty lindën dhe nga aty m7und të kthehen. E para nuk është e vërtetë se Albanologjia ka lindur më shpejt se Akademia e Shkencave dhe ekzistonte shumë më shpejt, por edhe nëse do ishte e vërtetë, lindja dhe vdekja janë dy procese që nuk janë njësoj.
Një VKM që nis duke cituar ligjin e Akademisë së Shkencave. Akademia e Studimeve Albanologjike është e njohur nga Ministria juaj që në vitin 2018 me një urdhër ku i njihet statuti i Albanologjisë. Po e njëjta shkresë nga Ministria, më 7 i 10 2022, thotë statusi i Akademisë së Studimeve Albanologjike është sipas statuti të vet. Shkelni autonominë akademike. Shkrini një institucion që rektorin e vet e ka të dekretuar nga Presidenti dhe e fusni brenda Akademisë së Shkencave duke i shkelur lirinë akademike të mbrojtur nga Kushtetua dhe 15 vite në atë Akademi ka ndryshuar gjenerata e studiuesve, e projekteve që janë duke punuar, si zgjidhni ju duke i bërë vasalë të Skënder Gjinushit?”, tha Zhupa
Ministrja Evis Kushi deklaroi se nuk bëhet fjalë për shkrirje, por për riorganizim të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ajo u shpreh se Akademia është “tërësisht” në shkelje të ligjit, për shkak se nuk ka mësimdhënie, nuk është e akredituar dhe nuk ka asnjë student.
Sipas Kushit, me transferimin në Akademinë e Shkencave, studiuesit do të ngrihen në nivel tjetër.
“Jeni drejtuar me fyerje për Akademinë e Shkencave, keni thënë ‘akademia e shkencave është akademia e ish-politikanëve të dalë në pension të mbledhur nën tutelën e Skënder Gjinushit’. Si mund të fyhet një institucion i tërë nga inati që keni për një individ, Skënder Gjinushin që është zgjedhur nga akademikët. Akademia e Shkencave është institucioni që na bën krenarë. Nuk bëhet fjalë as për zhdukje as për shkrirje. Vendimi parashikon vendim, riorganizim të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Në 55 anëtarë të Akademisë së Shkencave, gati gjysma janë punonjësit aktual të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Po flasim për të njëjtën gjë. Institutet kanë qenë gjithmonë pjesë e Akademisë së Shkencave. I kemi kërkuar riorganizim në përputhje me ligjin, por nuk e kanë pranuar. Të justifikojmë shkeljen e ligjit? Akademia e Studimeve Albanologjike ka të qartë që një Akademi duhet të ketë një fakultet, nuk ka mësimdhënie, nuk është e akredituar, nuk ka një student, por kjo është baza. Prej 8 vitesh nuk ka asnjë student. Ligji thotë se nëse për 2 vite nuk ka të regjistruar 1 student, duhet të mbyllet. Kanë doktorantë prej shumë vitesh që nuk po i çojnë dot drejt kurorëzimit me sukses. Kanë 12 vite me doktoraturën. Ne nuk po i hedhim në rrugë, por po i transferojmë. Studiuesit do ngrihen në një nivel të ri sepse është tërësisht në shkelje të ligjit”, u shpreh Kushi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




