Kundër vendimit për zgjedhjet për kryetar, dy anëtarë japin dorëheqjen nga Kryesia e PD-së

Dy prej anëtarëve të kryesisë kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre gjatë mbledhjes së Kryesisë e PD-së, e cila është shoqëruar me debate te forta.
Burime nga selia blu bëjnë me dije se deputetët e dorëhequr janë Flamur Hoxha i cili ka lënë edhe postin e tij si Sekretar Organizativ i PD-së dhe Ori Nebiaj.
Më herët ka dhënë dorëheqjen nga posti i Nënkryetares së PD-së edhe Jorida Tabaku, kjo e fundit mori vendim për të refuzuar dhe postin e kryetares së komanduar të Partisë Demokratike.
Më herët, kryesia e PD-së doli me vendimin që gara për kreun e ri të partisë të mbahet më 29 korrik.
Mbledhja u shoqërua me debate të forta ndërsa disa prej anëtarëve e braktisën atë, mes tyre Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati dhe Dhurata Çupi ndërsa nuk kanë votuar për hapjen e garës as Enkelejd Alibeaj, Kreshnik Collaku, Roland Bejko, Fitim Zekthi, Orjola Pampuri etj duke çuar në total numrin e deputetëve që nuk votuan në 17.
Mbledhja e cila ka zgjatur deri në orën 2 të mëngjesit ka shënuar dhe incidente kur disa nga deputetët demokratë janë përballur me kërcënimet dhe ofendimet e militanteve të Lulzim Bashës, pasi nuk morën pjesë në hapjen e garës për kryetarin.
Më pas, militantët kanë vërshuar për t’u përplasur me deputetët në ambientet e brendshme të godinës.
Lidhur me to ka reaguar kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi duke thënë se kjo është një sjellje që hedh në erë bashkëjetesën brenda forcës politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD.
”Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë’‘ përfundon mesazhin e tij Bardhi.
Ndërkohë kryesia ka lënë afat që deri më 20 qershor të dorëzohen kandidaturat për kreun e PD-së, ndërsa kandidatët do të kenë rreth një muaj afat për fushatë zgjedhore.
Gazetare: Megi Mëllilli
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




