Kërkoi ekspertizë të huaj për votimin elektronik në Kamzë, KAS rrëzon ankimimin e “Bashkë Fitojmë’

Komisioni i Animimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të marrë ekspertë të huaj për ekspertimin e pajisjeve PEVN për votimin dhe numërimin elektronik.
Kjo kërkesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë” u bë për Bashkinë Kamzë për votimet për kryetarin dhe këshillin bashkiak.
“Bashkë Fitojmë” kërkon ekspertimin kompjuterik të çdo pajisje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike dhe kjo të realizohej nga ekspertë të huaj, të pavarur nga institucionet shtetërore apo KQZ-ja.
Pas shqyrtimit të kërkesës KAS vendosi “rrëzimin e kërkesës për marrjen e ekspertëve të huaj, për ekspertimin e pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit (PEVN)”.
Më herët “Bashkë Fitojmë” kërkoi kundërshtimin e vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë dhe për Këshillin Bashkiak, në zonën zgjedhore, Bashkia Kamzë.
“Krahasimin e rezultatit elektronik të zgjedhjeve me rezultatin fizik (fletëve të votimit të gjendura në kuti), për çdo qendër votimit. Për këtë kërkohet një proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës. Këqyrjen e kamerave të jashtme dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit, me qëllim evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qendrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qenë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi, evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, evidentimin e votimit nga vetë operatorët e PEVN-ve, evidentimin e votimit të komisionerëve për llogari të votuesve. Krahasimin e kodeve të votuesve me listën e votuesve për çdo QV në Bashkinë Kamzë, në lidhje me pajisjen e identifikimit të votuesve (PED).
Rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Kamzë dhe miratimin e tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Kamzë, duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave”, thuhej në kërkesën e koalicionit “BF”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




