Xhaçka: Vendet e rajonit kanë përgjegjësinë për të qenë të përkushtuar ndaj dialogut dhe për të forcuar bashkëpunimin

Politikë | 3 vite më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u bëri thirrje vendeve të rajonit të Ballkanit të jenë të përkushtuar ndaj dialogut për të forcuar bashkëpunimin, ndërsa tha se është e nevojshme që BE-ja të ruajë momentin e ri të procesit të zgjerimit përmes veprimeve konkrete.

Deklaratën e saj zonja Xhaçka e bëri në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u mbajt në Budva, Mali i Zi.

Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar si një pjesëmarrëse aktive dhe një kontribuese domethënëse e SEECP-së.

“Ekziston nevoja për një rrugë të besueshme dhe të parashikueshme drejt BE. Vendet e rajonit kanë përgjegjësinë për të qenë të përkushtuar ndaj dialogut dhe për të forcuar bashkëpunimin tonë. Por ne gjithashtu kemi nevojë që BE-ja të ruajë momentin e ri të procesit të zgjerimit përmes veprimeve konkrete” tha ajo. 

Shefja e diplomacisë shqiptare kujtoi se Shqipëria këtë vit kryeson Procesin e Berlinit, duke shprehur bindjen se “Samiti i ardhshëm në Tiranë do të sjellë rezultate të prekshme në krijimin e një kohezioni ekonomik më efektiv në rajon”.

Maqedonia e Veriut do të jetë kryesuesja e radhës e SEECP, ndërsa Shqipëria pritet të marrë kryesimin e SEECP për periudhën 2024-2025.

Presidenca e SEECP-së konsiderohet me rëndësi duke qenë se ky është forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore që përfshin shtete me rëndësi strategjike për Shqipërinë.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme