Për herë të parë, një president i Estonisë viziton Shqipërinë, Alar Karis më 7-9 qershor vjen në Tiranë

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti i Estonisë, Alar Karis, do të zhvillojë një vizitë më 7-9 qershor në vendin tonë.  Vizita, e para e një Presidenti estonez në Shqipëri vjen me ftesë të Presidentit, Bajram Begaj.  

Sipas axhendës së vizitës, pas ceremonive të mirëseardhjes, që do të zhvillohen më 7 qershor 2023, ora 15:00, në Presidencë, të dy Presidentët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë e më pas do të kryesojnë delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar.

Në fund të takimeve, të dy Presidentët do të kenë dhe një dalje të përbashkët për mediat.

Në qendër të bisedimeve do të jenë nevoja e nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në çështjet e bashkëpunimit ekonomik dhe qeverisjes elektronike, por edhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, integrimi evropian i Shqipërisë dhe i vendeve të këtij rajoni, si dhe ndikimi i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, për Estoninë dhe rajonin e vendeve Balltike por edhe të Ballkanit Perëndimor.

Më 9 qershor, të dy Presidentët do të ndjekin një stërvitje të përbashkët kibernetike të ekspertëve nga Estonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Në kuadër të kësaj vizite, Presidenti i Estonisë do të takohet edhe me autoritetet e tjera të larta shqiptare, si dhe do të vizitojë edhe qytetin e Beratit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme