Ndërmjetësimi i Macron dhe Scholz për tensionet në Kosovë, Rama: Përpjekje për të zgjidhur një konflikt absurd, tregon shpirtin e madh europian

Politikë | 3 vite më parë

Ndërmjetësimin e Francës dhe Gjermanisë për të ulur tensionet në veri të Kosovës, për kryeministrin Edi Rama tregon respektin për palët që të zgjidhin këtë konflikt absurd dhe shpirtin e madh europian.

Rama ka vlerësuar edhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për t’u ulur në një tavolinë me presidentin serb Vuçiç për të gjetur zgjidhje për uljen e tensioneve mes dy vendeve.

Gjithashtu Rama shpreson se plotësimi i 3 kushteve të vendosura nga BE do të zgjidh konfliktin dhe të mos dëmtojë reputacionin e Kosovës.

“Një falënderim të madh për Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz për atë që po bëjnë për të finalizuar procesin e normalizimit Kosovë-Serbi! Duke i parë ata të ulur me aq respekt me të dyja palët në përpjekje për të zgjidhur një konflikt absurd tregon gjithçka për shpirtin e tyre të madh evropian. Faleminderit!.

Përgëzoj edhe presidenten Vjosa Osmani për të folur drejtpërdrejt me presidentin serb Vuçiç, dhe me të vërtetë shpresoj që këto tri kërkesa të plotësohen menjëherë në mënyrë që ky konflikt absurd të përfundojë para se të dëmtojë reputacionin e Kosovës përtej riparimit të shpejtë dhe integrimin e saj të mëtejshëm në komunitetin demokratik.

Një falenderim i madh edhe për Josep Borrell  për pasionin dhe durimin e tij për të ndihmuar që ky zbulim historik të realizohet më në fund”, shkruan Rama në twitter.

Zgjedhje të reja lokale në veri, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit janë tre kushtet e BE-së për Kosovën dhe Serbinë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell thekson se nëse do të dështohet të përmbushen këto kushte, atëherë do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.

Ndërkohë, edhe Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të saj.

Situata në veri të Kosovës u tensionua më 29 maj, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe,  të hyjnë në zyrat komunale. Kjo u pasua me protesta të dhunshme ku për pasojë 30 ushtarë të KFOR-it mbetën të plagosur në Zveçan.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme