Ankimimi i “Bashkë Fitojmë” për përsëritjen e zgjedhjeve në Kamzë, KAS merr nesër vendimin

Bashkia Kamzë pritet të kalojë të mërkurën në filtrin e Komisionit të Akimimeve dhe Sanksioneve, ku do të shqyrtohet kërkesa ankimore e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, e cila ka si objekt kundërshtimin e vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë dhe të Këshillit Bashkiak, në zonën zgjedhore, Bashkia Kamzë.
Me dt. 26 maj 2023 Komisioni i Akimimeve dhe Sanksioneve ka shqyrtuar paraprakisht elementët e formës dhe të përmbajtjes të kërkesës ankimore, ku mori vendimin që më pas ta kalojë në senacë për vlerësim.
“BF”, sipas kërkesës së depozituar, kërkon ekspertimin kompjuterik të çdo pajisje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike, si dhe përsëritjen e zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak.
“Nevojitet që pajisjet elektronike të ruhen në kushte të përshtatshme në gjendjen aktuale, me qëllim mosndërhyrjen nga personat e paautorizuar, si dhe të mirëruajtura nga agjentët atmosferikë. Krahasimin e rezultatit elektronik të zgjedhjeve me rezultatin fizik (fletëve të votimit të gjendura në kuti), për çdo qendër votimit. Për këtë kërkohet një process sa më transparent dhe gjithëpërfshirës. Ekspertimi kompjuterik duhet të realizohet nga ekspertë të huaj, të pavarur nga institucionet shtetërore apo KQZ-ja.”- thuhet në kërkesën ankimore të kooalicionit “BF”.
Sipas ankimimit në fjalë, duhet bërë edhe kqyrja e kamerave të jashtme, si dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit, me qëllim evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qendrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qenë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi, evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, evidentimin e votimit nga vetë operatorët e PEVN-ve, evidentimin e votimit të komisionerëve për llogari të votuesve.
“BF” kërkon edhe krahasimin e kodeve të votuesve me listën e votuesve për çdo QV në Bashkinë Kamzë, në lidhje me pajisjen e identifikimit të votuesve (PED).
“Rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Kamzë dhe miratimin e tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Kamzë, duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave. Pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara në zonën zgjedhore bashkia Kamzë, si dhe pasi të jenë kryer veprimet e mësipërme dhe të keni krijuar bindjen tuaj institucionale se kjo nuk është vota e qytetarëve, nga ana juaj kërkojmë përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë, si dhe të Këshillit bashkiak Kamzë”- thuhet në kërkesën e koalicionit “BF”.
Në zgjedhjet për kryetar bashkie Kamzë, kandidati i PS-së, Rakip Suli, mori 60. 36% të votave, ndërsa rivali i tij i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha, mori 35. 32% të votave. PS dominon edhe këshillin bashkiak, pasi është renditur si forca e parë politike.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




