Rama: Vota e 14 majit transformoi hartën elektorale, është dorashkë sfide për PS-në, jo triumf

Kryeministri Edi Rama, në vijim të turit të tij të falenderimeve, nga Korça, ka bërë një analizë të rezultatit të rritur nga PS në zgjedhjet e 14 majit, rezultat i cili, sipas tij, “ka ndryshuar tërësisht hartën elektorale, si dhe përbën një sfidë shumë serioze“.
Rama, me këtë rast, ka artikuluar edhe arsyet e këtij turi falenderimesh, pasi, sipas tij, është shprehje e shqetësimit dhe merakut se si PS do të duhet ta lexojë këtë votë.
“14 maji transformoi hartën elektorale. Jemi forcë e parë në këshillat bashkiakë në Shkodër, Dibër, Tropojë, Lezhë, Kamzë. S’ka qenë asnjëherë kështu. Kjo tregon se nuk ka qenë votë vetëm për kryetarët, por edhe për PS.“– u shpreh Rama.
Sipas tij, të gjithë zgjedhurit nëpër bashki, deputetët, orgazitat politike, ministrat, nuk duhet të mendojnë për asnjë çast se ky rezultat ka ardhur ngaqë njerëzit janë të kënaqur me PS-në, “pasi ata presin shumë më shumë nga ne“.
“Kemi marrë mbështetje historike, numrin më të lartë të votave. Njerëzit kanë pritshmëri të madhe dhe nuk janë të kënaqur nga ne, por se ata besojnë se vetëm ne mund ti bëjmë ato gjëra që ata dëshirojnë. Është një dorashkë sfide”– theksoi Rama gjatë fjalës së tij.
Sipas tij, do ishte fatale nëse bihet në vetëkënaqësi, të ketë sjellje si triumfator, si dhe të gjykohet se „jemi të pazëvendësueshëm“.
“Kjo votë s‘ka lidhje me këto. Njerëzit duan që ne të mendojmë si qytetarë. Vota jonë nuk do të ishte kaq e madhe nëse dhe demokratët nuk do të dilnin në votim. Votat që kanë marrë kundërshtarët tanë dëshmojnë se ata janë braktisur nga zgjedhësit e tyre. Shumica ka qëndruar në shtëpi se s‘kanë dashur të ndyejnë dorën, të ndyejnë të djthtën e tyre, për ta hedhur votën në kutinë e turpit. Falenderoj edhe ata demokratë që nuk dolën të votojnë. Ata meritojnë respekt sepse janë sjellë si patriot, për të mos votuar hijet e së shkuarës.”– komentoi kreu i qeverisë.
Sipas kryesocialistit, 14 maji është si t’i japin PS-së një kredi shumë të madhe, por sërish është borxh.
“Ka një gjë që është në dorën tonë dhe ai është njerzillëku me çdo qytetarë, familje, sipërmarrje, grup interesi etj. Njerzillëku do të duhet të jetë pika e parë e çdo krytetari bashkie që ka dalë nga vota e 14 majit. Në këtë pikë kemi probleme në shumë nivele, vendore dhe qendrore. Vota e 14 majit është një sfidë shumë e madhe që nga unë i pari, deri tek të tjerët. Do bëjmë akoma më shumë në këto 4 vite që vijnë. Nuk i gjej të gjitha fjalët për tu thënë sa mirënjohës jam ndaj të gjithë Qarkut të Korçës, sidomos ndaj grave. Ne jemi partia që votohemi më shumë nga gratë sesa nga burrat.”– theksoi Rama.
Sipas tij, Shqipëria është në një pikë kthese të madhe dhe se 14 maji i ka dhënë kësaj kthese garanci se nuk ka më kthim pas, por vetëm përpara.
“Këtë vend e bën vetëm PS. Nëse nuk e bëjmë ne, askush tjetër nuk e bën dot. Nëse nuk e bëjmë ne, ky vend do të lëngojë. Por ne nuk do ta lemë më të lëngojë.”– përfundoi fjalën e tij kryeministri, Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




