KAS rrëzon kërkesat ankimore për bashkitë Kamzë dhe Kurbin

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, ka rrëzuar të hënën 2 kërkesa ankimore për vendimet e dhëna nga KZAZ-të në Kurbin dhe Kamzë. KAS, pasi ka shqyrtuar kërkesën ankimore të depozituar nga Partia Aleanca Progresiste LZHK, me objekt kundërshtimin e vendimit të dhënë nga KZAZ-ja Kurbin, vendosi që ta rrëzojë atë.
Bazuar në ankimim, subjekti Partia Aleanca Progresiste LZHK, kishte kërkuar hapjen e një kutie të deklaruar nga KZAZ-ja si të parregullt, si dhe numërimin e votave në këtë kuti dhe më pas pasqyrimin e tyre në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve.
KAS, nga këqyrja e materialit zgjedhor, konstatoi se kutia ishte e masivisht e dëmtuar dhe për këtë arsye vendosi rrëzimin e kërkesës së subjektit dhe lënien në fuqi të vendimit të KZAZ.
KAS shqyrtoi edhe kërkesën ankimore të depozituar nga Partia Aleanca Demokristiane, me objekt kundërshtimin e vendimit të KZA-së dhe KQZ-së, lidhur me hedhjen poshtë të vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Këshillit Bashkiak, Kamzë, si dhe hartimin e tabelës së re përmbledhëse pas këqyrjes së materialit zgjedhor, sipas kërkesës ankimore.
Në ankimim, po ashtu, kërkohej edhe rivlerësimi i votave të pavlefshme për disa subjekte në disa prejt kutive të votimit për Këshillin Bashkiak, Kamzë.
Gjithashtu, kërkohej rivlerësim për ndryshimet e pamotivuara në tabelën elektronike të rezultateve përmbledhëse për këshillin Bashkiak, Kamzë.
Por, të hënën, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore, pasi pala ankuese, sipas KAS, “nuk ka plotësuar elementët e formës dhe të përmbajtjes së kërkesës ankimore sipas afatit të lënë më parë nga KAS”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




