50-vjetori i Revoltës së Spaçit, Begaj: Respekt dhe mirënjohje për martirët

Politikë | 3 vite më parë

Në 50-vjetorin e Revoltës së Spaçit, Presidenti, Bajram Begaj, vizitoi godinat ish-burgut të Spaçit duke u bërë pjesë e aktiviteteve të organizuara me këtë rast nga Dioqeza Rrëshen dhe Bashkia Mirditë, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat që angazhohen në fushën e edukimit dhe ruajtjes së kujtesës historike.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj u ndal tek respekti ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan jetën e tyre për liri.

“Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Dashnor Kazazi, Jorgji Pepa, e shumë e shumë të tjerë që unë nuk po i përmend, janë vetëm disa nga ata emra që e bënë sakrificën e tyre për të treguar se edhe mbas vdekjes, shpresa nuk vdes!,” – tha Presidenti Begaj, duke shtuar më tej se: “Ata janë pjesë e një historie që ende nuk ka dalë plotësisht në dritë dhe që ndikon me peshë hijesh në të ardhmen e vendit tonë. Heronjtë e Spaçit e të tjerë si ata, shërbejnë si një kujtesë për të gjithë ne, se lufta për liri është një luftë e përhershme, që kërkon angazhimin dhe vigjilencën tonë të palëkundur. Një kujtesë se fuqia për të formësuar fatet tona qëndron brenda secilit nga ne,”tha Begaj.

Në këtë 50 vjetor në ish kamp-burgun e Spaçit u organizuan një sërë aktivitetesh, ku u shfaqën filma dokumentarë, ekspozita me materiale autentike që lidhen me këtë revoltë ndërsa i gjithë aktiviteti u konceptua si një pelegrinazh ku morën pjesë edhe klerikë të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri. Ajo që kërkohet prej vitesh për këtë vend është që Spaçi të kthehet në një muze kujtese.

Në 21 maj të vitit 1973, të burgosurit politikë, të dërrmuar nga punët e rënda, kushtet e këqija, ushqimi i mangët, dhuna fizike, psikologjike dhe shkatërrimi i orientuar e i komanduar i personalitetit njerëzor, shpërthyen në një revoltë të paparë masive, e cila do të jetojë gjatë në memorien kolektive sepse gjunjëzoi përkohësisht shtetin ideologjik të asaj kohe. Revolta u shtyp me egërsi nga autoritetet komuniste të cilët përdorën edhe ushtrinë dhe pasojat për të dënuarit ishin tepër fatale.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme