Koalicioni i Vëzhguesve: Politika duhet të tregojë më shumë maturi në zgjedhjet e 2025

Politikë | 3 vite më parë

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara në bashkëpunim me 30 organizatat partnere lokale ndoqi procesin e numërimit në mënyrë jo sistematike, por në vazhdimësi, me vizita të shpeshta në vendet e numërimit të votave.

Gjatë vizitave, vëzhguesit monitoruan drejtpërdrejt procesin e numërimit, si dhe mblodhën informacion nga anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe vëzhguesit mbi ecurinë e tij.

KRIIK evidenton se procesi i numërimit, në linjë edhe me procesin në ditën e votimit, ishte i qetë dhe në përgjithësi i mirëadministruar.

Deklarata e mëngjesit në ditën e votimit u ndoq nga një mori deklaratash të tjerë zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe ministrave, madje edhe nga një numër opinionistësh në mediat e ndryshme.

KRIIK i konsideron të papranueshme këto deklarata të maxhorancës dhe gjykon se akuzat ndaj KQZ-së, ndërkohë që procesi zgjedhor ishte ende në pjesën më të rëndësishme të vet, në shprehjen e vullnetit prej qytetarëve dhe leximim më pas të tij prej administratës zgjedhore politike, nuk i shërbejnë aspak sfidës së konsolidimit dhe shëndoshjes së Institucioneve të Pavarura, specifikisht të Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë rast.

Sigurimi i integritetit të procesit dhe i besueshmërisë së tërë palëve dhe të gjithë qytetarëve në këtë proces, mbetet një domosdoshmëri me interesin më të lartë e më të gjerë publik, pasi lidhet ngushtë me integritetin e procesit zgjedhor dhe nuk ka të bëjë vetëm dhe thjesht me korrigjimin ose jo të rezultatit të një subjekti zgjedhor.

Paralelisht dhe në lidhje të ngushtë me sa më sipër, politika shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të përgatitet për nisjen e një procesi reformues serioz, të thelluar dhe gjithëpërfshirës të kuadrit ligjor që afekton zgjedhjet, duke mos u kufizuar vetëm në Kodin Zgjedhor, por edhe në të gjithë paketën e ligjeve që ndikojnë zgjedhjet.

Gazetar: Norel Zaimi

/rtsh


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme