Humbi në zgjedhje në Kamëz, kandidati i “Bashkë Fitojmë” protestë para KQZ:  Rezultati i parapërgatitur

Politikë | 3 vite më parë

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Kamzën, Arjan Hoxha, i cili humbi në zgjedhjet vendore të 14 majit ka protestuar para KQZ-së këtë të enjte (18 maj), duke kundërshtuar rezultatin.

Në një deklaratë për mediat, ai e konsideroi 14 majin si “masakër zgjedhore”, ndërsa, referuar faktit që në Kamëz u aplikua votimi dhe numërimi elektronik, Hoxha u shpreh se rezultati ishte i parapërgatitur.

“Një masakër zgjedhore e fabrikuar me anë të makinerive ku nuk është lexuar vota e qytetarëve, por janë lexuar të dhënat kompjuterike të parapërgatitura në aparatet që kanë votimin dhe numërimin elektronik. Rezultati i zgjedhjeve nuk ka asnjë logjikë statistikore, elektorale, perceptim publik. Një rezultat i thellë që nuk justifikohet nga asnjë pritshmëri as nga kundërshtari politik. Janë manipuluar përmes leximit elektronik”, tha ai.

Hoxha shtoi se ata do të kërkojnë të ngrihet një grup ekspertësh të pavarur për të verifikuar rezultatin, teksa shtoi se ka pamje filmike për parregullsi në këto zgjedhje.  

“Do kërkojmë të ngrihet një grup ekspertësh të pavarur, të huaj sepse besueshmëria te institucionet tona ka rënë. Ishte një sistem pilot, por pa pilot në drejtim të paditur. Ishte vetëm formulë e paracaktuar dhe rezultat i paracaktuar. Në do shterojmë çdo rrugë ligjore. Kemi pamje filmike, kemi mesazhe, kemi qytetarë që thonë se nuk kanë votuar sepse nuk i shtypej tastiera. Shumë prej votave janë klikuar nga operatorët jo votuesit. Në 50% të qendrave të votimit është votuar me shoqërim”, u shpreh ai.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme