Këlliçi: Rezultati në zgjedhje një makineri e madhe shantazhi, nuk pasqyron vullnetin e lirë të qytetarëve

Politikë | 3 vite më parë

Rezultati në këto zgjedhje nuk pasqyron vullnetin e lirë të qytetarëve, por një makineri të madhe shantazhi, kështu e ka përkufizuar rezultatin e zgjedhjeve kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.

“Rezultati i zgjedhjeve të 14 Majit, për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve. Ky rezultat është i ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve”, tha ai.

Në një deklaratë për mediat, e para pas zgjedhjeve, Këlliçi tha se nuk do të tërhiqen pasi sipas tij vendi ka nevojë më shumë se kurrë për opozitë.

“Shoqëria jonë mesa duket kërkon diçka ndryshe dhe pret më shumë prej nesh. Të gjithë ne duhet të reflektojmë rreth kësaj që ka ndodhur dhe unë sigurisht duhet ta bëj i pari.

Kjo nuk do të thotë se do tërhiqemi, përkundrazi, duhet që të gjithë bashkë të bëjmë shumë më shumë se kaq. Por së pari duhet të kërkojmë brenda nesh, për të kuptuar saktë dhe analizuar me ftohtësi se çfarë publiku, opinioni, banorët dhe votuesit kërkojnë prej nesh.

Gjatë fushatës sime ja dola të bëj transparencë për punët publike të Bashkisë Tiranë, për bilancin real të saj, për abuzimin dhe vjedhjen e përditshme të taksave, keqpërdorimin e pushtetit si dhe nxorra në publik disa afera tronditëse. Çështje këto të trajtuara deri më tani si sekret shtetëror nga mediat dhe institucionet ligjzbatuese.

Tirana ka nevojë për opozitë, po aq sa ka nevojë për ujë të pijshëm“, tha Këlliçi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme