PS ul siparin e fushatës për zgjedhjet vendore, Rama: Durrësi do të rikthehet në portën kryesore të Adriatikut

Partia Socialiste ka mbyllur në Durrës fushatën kombëtare për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i PS, Edi Rama, kandidatja për kryebashkiake e këtij qyteti, Emiriana Sako, zgjedhës dhe mbështetës të PS-së.
Që në fillim të këtij takimi, Rama ka shprehur impresionin e tij, duke nënvizuar se është takimi më i madh, më i jashtëzakonshëm që ka zhvilluar ndonjëherë në qytetin e Durrësit.
“Durrsakët nuk janë të takimeve të mëdha. Mirëpo, jam i bindur, se të gjithë ata që po ndjekin këtë takim, nuk po e besojnë dot që kjo po ndodh në Durrës. Është privilegj që jam deputet i Durrësit, por është privilegj të jem pjesë e historisë së PS-së këtu në Durrës”- deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij, ka theksuar se Durrësi do të jetë lokomotiva e zhvillimit ekonomik e të gjithë Shqipërisë, pasi është kthyer në qendrën e gravitetit të një hapi tjetër të zhvillimit ekonomik.
Sipas tij, me portin e ri turistik, atë tregtar dhe me hekurudhën e re, Durrësi do të rikthehet në portën kryesore të Adriatikut. Kryeministri nënvizoi se ndërtimi i dy porteve, atij tregtar dhe atij turistik, do u shërbejnë të gjithë rajonit të Ballkanit dhe jo vetëm Shqipërisë.
“Pëfituesi më i madh ekonomik do jetë bashkia e Durrësit, e cila e ka domosdoshmëri që të bëhet një bashki model për të gjitha bashkitë e tjera, sa i përket infrastrukturës sportive dhe aksesit të fëmijëve të periferive në sport. “Qershia mbi torte” do të jetë Akademia dhe shkolla e futbollit e Manchester City-t në Durrës. Disa filluan ta përqeshin. Janë ata të cilët i lanë Durrësit në mes të trupit një kancer të tmerrshëm, zonën e tmerrshme të plehrave në Porto Romano. Kur të votoni në 14 maj mos harroni që përballë Anit dhe PS-së, janë ata të plehrave në Porto Romano, fiks ata”- theksoi Rama.
Kreu i PS-së ka apeluar për të gjithë shqiptarët, sidomos për ata që nuk e kanë ndarë mëndjen, që të shikojnë Durrësin dhe të bëjnë atë që bën Durrësi, pasi ky qytet nuk ka qenë kurrë një “aktor i flaktë”, por ka qenë gjithmonë një “lojtar shumë i mençur”.
“Durrësi nuk është sulmues, as mbrojtës, por është mesfushori më i mirë që ka skuadra shqiptare e 61 bashkive. Kur Durrësi e hedh topin për të bërë golin, nuk gabon asnjëherë. Prandaj hidheni votën tek PS dhe kandidatët tanë_ theksoi Rama.
Temë tjetër e këtij takimi ka qenë edhe diferenca mes kandidates së PS-së, Emiriana Sako dhe kundërshtarit të saj, Igli Cara, për bashkinë e Durrësit.
Sipas tij, diferenca e fitores së PS-së do të jetë me mijëra vota, duke theksuar se opozita në vitet në vijim, do të braktiset edhe nga ata persona, të cilët deri më tani e kanë mbështetur pa kushte.
“Diferenca do të jetë me mijëra vota mes Sakos dhe atij që nuk po e zejmë fare me gojë. Në zgjedhjet pas 2 vjetësh, do të shikojmë që jo vetëm shumica, por edhe pala tjetër, ajo e pakicës, do t’i braktisë ata në kërkim të diçkaje tjetër”- tha Rama.

Projekti i Amfiteatrit romak
Rama, pas përmbylljes së fushatës elektorale në Durrës, ishte i pranishëm edhe në projektin e Amfiteatrit romak. Punimet i janë besuar arkitektit të mirënjohur, Stefano Boeri, i cili ka drejtuar punimet edhe tek Koloseu në Romë.
Rama tha se investimet që do të bëhen në Durrës, do të sjellin edhe rritjen e vlerës së pronës në këtë qytet.
“Ky është një projekt që nga njëra anë na garanton vazhdimin e punës së nisur disa vite më parë me zbulimin e një pjese të kësaj pasurie kolosale. Ecuria e këtij projekti do të jetë një tjetër element shtysë për ekonominë, për turizmin, për artin, për kulturën, jo thjesht të qytetit të Durrësit, por në nivel kombëtar. Investimet në Durrës nuk janë investime thjesht në një zonë të kufizuar, por janë investime që sjellin impakt shumë më të gjerë se sa impakti në vetë bashkinë e Durrësit. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është rritja e vlerës së pronës, e cila ka filluar të ketë një rritje të veçantë krahasuar dhe me vendet e tjera, përfshirë dhe Tiranën, për shkak të projektit të portit turistik”- theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



