Veliaj me banorët e Ndroqit: Berisha dhe Meta, 2 vjetërsira që kthejnë vendin mbrapa

Në takimin me banorët e Ndroqit, Pezës dhe Vaqarrit, kandidati për kreun e bashkisë së Tiranësm, Erion Veliaj i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Toni Gogu ka deklaruar se Berisha dhe Ilir Meta i përkasin së shkuarës.
“Na thoni një shkollë që kanë bërë? Ndoshta 40 shkolla nuk mjaftojnë, ndoshta Tirana ka nevojë për 50 shkolla dhe ne jemi përgatitur edhe për 10 shkolla të reja.
Por, fakti që Peza ka 4 shkolla të reja, Ndroqi ka 2 shkolla të reja, Vaqarri ka 2 shkolla të reja, unë besoj se kjo është kartëvizita më e mirë se çfarë mund të bëjmë ne kur përveshim mëngët për punë.
Sot kemi përballë jo një parti – se ata s’janë as parti, ata s’kanë as emër, as numër, as logo – sot kemi përballë dy rraqe, dy vjetërsira.
Njëri quhet Ilir Meta, tjetri quhet Sali Berisha. Njëri është “non grata” nga Amerika, tjetri është fuksi i lagjes, spiuni i Sigurimit të Shtetit. Alternativa jonë është një skuadër që bën shkollat, që bën kopshtet, që bën çerdhet, që bën tregun agro-ushqimor, që po mbaron Unazën e Tiranës”, tha Veliaj.
Veliaj tha se mazhoranca qeverisëse ka qëndruar pranë qytetarëve duke i ndihmuar në rastin e tërmetit dhe pandemisë.
“Nëse ishte tërmet, nëse ishte pandemi, nëse ishte nevoja për tregun, nëse ishte nevoja për lidhje me autobus me Tiranën, nëse ishte nevoja për infrastrukturë – vetëm në Pezë kemi ndërtuar 4 shkolla të reja, në Ndroq 4 shkolla të tjera, në Vaqarr 2 shkolla të reja – ne ishim aty ato ditë.
E nëse Partia Socialiste ka punuar për familjen tënde, për shtëpinë tënde, për çerdhen, për kopshtin, për shkollën, atëherë një votë për familjen tënde, është vota për Partinë Socialiste dhe për skuadrën tonë që shkon vetëm përpara. Sot zgjedhjet lokale janë për fëmijët tanë! Ndaj çdo demokrati i them: Mos mendoni partitë, mendoni çunat dhe gocat tuaja. Nëse shkojnë në një shkollë më të mirë, votoni për fëmijët tuaj, se ajo votë është për Partinë Socialiste”, nënvizoi Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




