Meta: Nuk ka gjumë këto 4 ditë. 14 maji, ditë historike për ne

Politikë | 3 vite më parë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një komunikim për media ka deklaruar se 14 maji, do të jetë dita e rikthimit të llogaridhënies në të gjitha nivelet në vend dhe e rikthimit të pluralizmit dhe shembjes së monizmit.

Kjo, sipas Metës, është dhe arsyeja e tmerrimit të Kryeministrit Edi Rama.

“3 ditë na ndajnë nga një ditë historike për rikthimin e pluralizmit politik në vend, për shembjen e monizmit në pushtetin vendor, absolut dhe rikthimit të llogaridhënies jo vetëm në nivel vendor, por në të gjitha nivelet.

Kjo është arsyeja përse është i tmerruar Edi Rama, kur e ka të qartë bilancin e tij katastrofik dhe të kukullave që i ka paraqitur me imponim në të gjitha bashkitë, kjo e detyron jo vetëm të shfazohet, por edhe të bëjë thirrje për një pjesëmarrje sa më të ulët në zgjedhje dhe sidomos ti drejtohet demokratëve që t’ia fusin gjumit në 14 maj, siç ai e deklaroi dje nga Kavaja”, tha Meta.

Ky i fundit dha mesazhin se gjatë këtyre ditëve para zgjedhjeve të 14 majit, nuk do të ketë gjumë, por punë kundër PS që sipas tij, i shkakton vendit një dëm të jashtëzakonshëm.

“Po si mund të flenë gjumë jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët e ndershëm kur kanë shumicën e fëmijëve jashtë vendit dhe ata që i kanë këtu për shkak të pamundësive, pasigurisë, dhe mungesës së mbështetjes nga kjo qeveri dhe ata duan të largohen nga vendi sepse nuk duan të përfundojnë patronazhistë.

Ndaj nuk do të ketë gjumë në këto tre ditë, katër ditë, madje edhe natën do ta bëjmë ditë. Së bashku edhe me të gjithë socialistët e ndershëm që kanë qenë viktimat e parë e uzurpimit të vulës të asaj partie, pra të PS nga një sekt duke i sjellë vendit dëme të jashtëzakonshme vendit”, tha Meta teksa u kërkoi qytetarëve të votojnë koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme