Begaj: Të punohet për implementimin korrekt të hartës së re gjyqësore

Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar implementimin korrekt të hartës së re gjyqësore.
Në fjalën e tij në 110-vjetorin e Gjykatës së Lartë, Begaj u shpreh se duhet të punohet mbi perceptimin se harta e re gjyqësore, nuk është kufizim i së drejtës së apelimit, as në sensin e kohës apo të vonesave, as në sensin e aksesit fizik.
“Si President dhe qytetar i këtij vendi, kërkoj të garantohet: Aksesi në drejtësi, i cili lidhet ngushtësisht me hartën e re gjyqësore.
Te punohet jo vetem mbi implementimin korrekt të kësaj harte, por edhe mbi perceptimin se harta gjyqësore nuk është kufizim i të drejtës së apelimit, as në sensin e kohës apo të vonesave, as në sensin e aksesit fizik”, tha Begaj.
Presidenti u ndal më tej te qëllimi i reformës në drejtësi, që sipas tij lidhet ngushtë me drejtësinë e besueshme dhe të pavarur.
Ai vuri theksin te domosdoshmëria e shkëputjes së sistemit të drejtësisë nga ndikimet politike dhe fenomenet negative të së shkuarës.
“Pavarësia e sistemit, e cila është arsyeja e reformës në drejtësi, të japë frytet e veta, në administrimin e sistemit, duke treguar përgjegjësinë e vendosmërinë e nevojshme për t’u shkëputur nga ndikimet politike e fenomenet negative të së shkuarës. Për këtë rol të madh duhet të luajnë të gjithë institucionet e reja të drejtësisë;
Cilësia në drejtësi është dhe duhet të jetë kriteri matës për të përcaktuar punën e të gjithë aktorëve të përfshirë. Nga një anë Shkolla e Magjistraturës me përgatitjen e magjistratëve të rinj dhe nga ana tjetër organet e qeverisjes në drejtësi (KLGJ/KLP/ILD) duhet të punojnë që të ruhet profesionalizmi dhe përgjegjshmëria e magjistratëve në sistem”, shtoi Begaj.
Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, Presidenti tha se “Kanuni i Zhurisë” shënoi gurin themeltar të drejtësisë shqiptare dhe të krijimit të Gjykatës së Lartë, 110 vjet më parë.
“Ky Kanun është akti i parë juridik për organizimin dhe funksionimin e këtij sistemi në shtetin e pavarur shqiptar dhe përbën pikënisjen e krijimit të kulturës e traditës sonë juridike.
Ai shërbeu si themel për mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës, duke u përafruar me standardet më të mira ndërkombëtare të kohës”, tha ai, teksa shtoi se kontributi i aktorëve vendas dhe ndërkombëtar është thelbësor për ndërtimin e një kulture juridike me standarde profesionale dhe etike të larta që përcjell besimin e nevojshëm kundrejt atyre që presin drejtësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




