Berisha: Më 14 maj, shqiptarët do të ndëshkojnë me votë Ramën

Sali Berisha ka zhvilluar një takim elektoral në Vlorë, ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Hysni Sharrën, për kryetar bashkie.
Berisha, në këtë takim, shprehu bindjen se shqiptarët, më 14 maj, do të ndëshkojnë me votë Ramën.
“Rama mendon se me fjalor vulgar, banal, të turpshëm, do të bëjë qytetarët të harrojnë korrupsionin. Por Rama për çdo shqiptar të ndershëm, çdo fermer të ndershëm është armik. Asnjë regjim, asnjë pushtim nuk ka përzënë shqiptarët nga Shqipëria si pushtimi i Ramës”,- tha Berisha.
Sipas tij, Rama vetë udhëton me avion me dhomë gjumi, kurse të tjerët rrezikojnë jetën me gomone.
“Është koha ta ndëshkojmë me votën tonë, të firmosim për Vlorën të ardhmen e saj dhe të gjithë Shqipërinë”,- u shpreh ndër të tjera ish-kryeministri Berisha.
“Më 14 maj, qytetarët e Vlorës, Selenicës dhe mbarë Shqipërisë firmosin me votën e tyre, ndryshimin. Votojnë për kandidatët e ndryshimit të cilët erdhën para jush si bijtë tuaj, me transparencë të plotë. U votuan nga ju, morën besimin tuaj dhe garojnë me një program të shkëlqyer, program në të cilin ndihet pulsi, mendimi dhe psherëtima e qytetarëve të Vlorës, Selenicës dhe mbarë Shqipërisë”, tha Berisha.
Sipas tij, kandidatët e BF kanë bërë një punë të madhe dhe shumë serioze, duke dëgjuar të gjithë problematikën e krijuar gjatë këtyre 8 viteve dhe me mendimin më të mirë të elitës, por edhe të qytetarëve, kanë hartuar zgjidhjet për të gjitha problemet.
“E vërteta është se varfëria është bërë për fatin më të keq, kryefjala e ditës dhe kjo varfëri vjen absolutisht e krijuar nga dora e qeverisë shqiptare. Me barrën e rëndë të taksave, vjedhjen e tmerrshme të saj, ngrirjen e rrogave, rritjen e çmimeve. Nuk ka një qeveri tjetër e një vendi të lirë që të ketë zhytur, vit pas viti gjithnjë e më shumë në skamje shqiptarët, se sa kjo qeveri e Edi Ramës”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




