14 maji/ Berisha në Kukës: Vota më 14 maj, misionare për të rivendosur pluralizmin në Shqipëri

Ish-kryeministri Sali Berisha u ndal në Kukës pasditen e kësaj të shtune (6 maj), ku zhvilloi një takim me banorët në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit. Berisha kërkoi votën për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Admir Sinamati, teksa e konsideroi votën e qytetarëve më 14 maj si “misionare për të rivendosur pluralizmin në Shqipëri “.
“14 maji është dita në të cilën ju vendosni për qytetarin e parë të Kukësit, për kryetarin e bashkisë. Por kësaj radhe vota juaj është një votë misionare, sepse duke votuar për Admir Sinamatin, ju keni rivendosur pluralizmin në Shqipëri. Duke votuar për Admir Sinamatin, ju njëkohësisht ju keni dhënë ndëshkimin e merituar, Edi Ramës armik i betuar i Kukësit dhe gjithë veriut të Shqipërisë. Antishqiptar i paprecedentë. Ju garantoj se në historinë e veriut dhe të Kukësit, pas car Dushanit dhe Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i egër”, tha Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përjashtuar veriun e vendit nga investimet.
“Edi Rama zhyti Shqipërinë në varfëri sa asnjëherë tjetër në 8 vite. Edi Rama përjashtoi veriun nga investimet. Po vijmë nga Kruma dhe Myftari tregoi aty se ish-kryetari i bashkisë Krumë, socialist kalonte nga fshati në fshat. Tu them të vërtetën mua më bëri përshtypje pozitive, sepse njeriu pendohet, pendesa është gjëja më normale dhe shkonte në çdo fshat dhe u thoshte; shikoni unë e lashë këtë detyrë, por 4 vite kam marrë zero investime nga qeveria e Tiranës. Zero investime. Pra e thashë këtë për trajtimin armiqësor, për diskriminim racist që ai u ka bërë zonave të veriut. Një vit kam llogaritur investimet në të gjithë veriun. Ishin 1/3 e rrasave të gurit në sheshin Skënderbej”, u shpreh ish-kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




