14 maji/ Rama në Vlorë: Do ta shndërrojmë në kampionen e turizmit në Ballkan

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë Socialiste, njëherazi edhe kryeministri i vendit, Eidi Rama, ishte i pranishëm në Vlorë pasditen e kësaj të shtune (6 maj) ku zhvilloi një takim me qytetarët, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit.

Në fjalën e tij, Rama tha se synimi  është kthimi i qytetit bregdetar në “kampione të turizmit” në Ballkan, teksa nuk kurseu kritikat për kryebashkiakun aktual, Dritan Leli. Sipas Ramës, Vlora është bashkia më problematike për pastrimin.

Ndalur te kandidiati socialist, Ermal Dredha, Rama tha se pret prej tij që “të mos flejë gjumë”.

“Ermali do jetë në gjendje të bëjë atë që Vlora pret nga kryetari i saj i Bashkisë. Ne nuk kemi folur për vizione, programe e projekte. Kur Ermali më pyeti se çfarë pret nga unë, i kam thënë që të rrosh pa gjumë! Vlora nuk e mban dot një kryetar bashkie që fle gjumë. Vlorës i duhet një kryetar bashkie që rri pa gjumë, që zgjohet i pari dhe që shikon se në qytet nuk ka asnjë copë letër. Vlorës i duhet një kryetar bashkie që fle i fundit. Për fat të keq, nga të gjitha bashkitë që ne drejtojmë, Vlora është bashkia më problematike për pastrimin dhe kjo është e papranueshme. Nuk mund të vijë qeveria këtu të pastrojë Vlorën. Kampionë të Ballkanit në turizëm ne nuk bëhemi dot nëse nuk i lëmë turistët pa fjalë kur vijnë në Shqipëri dhe Vlorë dhe nuk gjejnë dot një copë letër në tokë. Do e bëjmë Vlorën njëshin e turizmit në Ballkan”, tha Rama.

Para Vlorës, Rama u ndal në Himarë, ku kërkoi votën e himariotëve për kandidatin e Partisë Socialiste, Jorgo Goro. Kryeministri Rama sulmoi kandidatin e koalicionit Berisha-Meta, Fredi Beleri për bashkinë e Himarës, duke u shprehur se ai nuk është i afte t’u shërbejë qytetarëve

“I kanë dhënë mbështetje për të përfaqësuar një koalicion që është koalicioni më i shëmtuar qysh ku karavidhja e parë ka lindur. Do të çohen himarjotët këtu të gjithë himarjotët sido që të ndjehen sido që të flasin ngado që të vijnë edhe do të shkojnë më 14 maj të vënë një kryq në “Bashkë Fitojmë”. Po pastaj çfarë do kërkoni më nga unë. Çfarë do të kërkojnë nga unë himarjotët. Është një analfabet në greqisht, se në shqipe nuk është analfabet është dru. Nuk e do ky historinë e zgjidhjes së çështjes së pronave. Një zgjidhje keni ju nëse nuk doni t’ju ikin pronat, mua, PS dhe kandidatin tonë. Unë ju kam thënë këtu që do zgjidh çështjen e pronave e nuk do vijnë nga Tirana t’jua marrin!”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme