Kurorëzimi i Mbretit Charles III, Begaj takohet me Princ William: Vlerësojmë lidhjet tona të forta me Mbretërinë e Bashkuar

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka marrë pjesë në ceremoninë e Kurorëzimit të Mbretit Charles III.
Në pritjen e dhënë nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III dhe Mbretëresha Camilla për Krerët e Shteteve që po marrin pjesë në ceremonitë e kurorëzimit të tyre në Fronin Mbretëror, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u takua dhe bashkëbisedoi me Mbretin Charles III dhe Princ William.
“I nderuar të përfaqësojë Shqipërinë në Kurorëzimin historik të Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla. Ne i vlerësojmë lidhjet tona të forta me Mbretërinë e Bashkuar dhe u dërgojmë urimet tona më të mira Madhërive të tyre“, shkruan Begaj në një postim në Twitter.

Gjithashtu Begaj është takuar edhe me Presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, Presidentin e Austrisë, Alexander Von der Bellen, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidentin e Hungarisë, Victor Orban, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, e të ftuar te tjerë.
Në bashkëbisedimin e rastit me ta, Presidenti Begaj nënvizoi rolin e Shqipërisë në rajon si faktor paqeje dhe stabiliteti, si dhe shkëmbeu opinione mbi sfidat aktuale me të cilat po përballet rendi botëror dhe vlerat e përbashkëta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




