Shqipëri-Azerbajxhan diskutime për linjë direkte fluturimi Tiranë-Baku

Politikë | 4 vite më parë

Shqipëria dhe Azerbajxhani janë në diskutime për krijimin e një linje direkte fluturimi Baku-Tiranë. Diskutimet u zhvilluan në takimin e Komitetit të Përbashkët midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit që u zhvillua në Tiranë.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tha se transporti ishte një fushë e përbashkët interesi për zhvillimin dhe rritjen e bashkëpunimit.

“Ndërkohë duhet pasur parasysh që një tjetër fushë interesi midis dy vendeve tona është ajo e transportit, duke vënë një fokus kryesor në transportin e aviacionit civil. Pra, aviacioni civil ishte nga çështjet që diskutuam sot pasi një linjë direkte midis dy vendeve tona, midis dy kryeqyteteve Baku dhe Tiranës është një kërkesë e të dyja qeverive”, tha Balluku.

Ky takim vjen edhe ne kuadër të 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Diskutimet u fokusuan edhe rritjen e bashkëpunimit të zhvillimeve ekonomike, teknologjike dhe atyre industriale.

Gazifikimi dhe ndërtimi i rrjetit të furnizimit të brendshëm me gaz të Shqipërisë ishte një tjetër projekt madhor që do të ketë impakt të madh në ekonominë shqiptare dhe do të bëhet me mbështetjen e Azerbajxhanit.

“Fusha energjetike është ajo që ka interesin më të madh midis dy palëve, duke patur parasysh projektet e rëndësishme që kemi, si gazifikimi i Korçës apo ekspansioni i konsorciumit TAP, gazi i lëngshëm në portin e Triportit të Vlorës dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme që ne prej kohësh i kemi komunikuar me publikun.

Por, nga ana tjetër edhe në fushën e agrikulturës, por edhe në fushën e edukimit dhe të kulturës u diskutuan gjatë të gjitha mënyrat sesi mund të bashkëpunojmë nga shkëmbimi i eksperiencave dhe deri tek mbështetja e ndërsjellët midis dy vendeve”, tha Balluku.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme