14 maji/ Belind Këlliçi në “Publikisht”: Duhet të ndryshojë marrëdhënia e kryebashkiakut me qytetarët! Veliaj i ka alergji qytetarët

“Marrëdhënia e kryetarit bashkisë me qytetarët duhet të ndryshojë dhe të jetë një marrëdhënie llogaridhënie”. Kështu deklaroi kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Tiranën, Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, teksa premtoi se nëse qytetarët do t’i besojnë votën më 14 maj, do të jetë i pranishëm vazhdimisht në takime me ta.
Këlliçi u ndal edhe te kundërshtari i tij politik, kandidati socialist dhe kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj për të cilin u shpreh se “i ka alergji qytetarët”.
“Duhet të ndryshojë marrëdhënia e kryetarit të bashkisë me qytetarët. Në Laprakë dhe në Shkozë kam pyetur kur ka qenë kryetari i bashkisë këtu? Më thanë asnjë herë. Nuk më rezulton që ky individ të jetë kurrkund dhe unë propozoj një marrëdhënie llogaridhënie drejtpërdrejtë ku kryetari i Bashkisë duhet të shkojë të japë llogari para qytetarëve. Ka alergji nga banorët, qytetarët e thjeshtë. Ka hequr traditën ku kryetari i Bashkisë çdo të premte priste qytetarët”, tha Këlliçi.
Garën elektorale Këlliçi e konsideroi të pabarabartë, ndërsa një përgjigje dha edhe në lidhje me akuzat për arsimimin e tij.
“Kjo është garë e pabarabartë ku nuk të lejohet të marrësh as fondet që i takojnë partisë tënde, ku të hiqet logoja vula, komisionerët e numëruesit në një pjesë. Por kjo tregon panik, kryebashkiaku nuk del në një takim me qytetarët. Erion Veliaj është pa shkollë, por meqë është shqetësuar për arsimimin tim, të vijë t’i hapim që në klasë të parë, kush jam unë dhe kush është Erion Veliaj”, u shpreh Këlliçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




