14 maji/ Berisha fton Ramën në debat: Të vijë të përballet me mua

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim madhështor në Shkodër, ka prezantuar kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, kryebashkiakun aktual, Bardh Spahia.

Gjatë prezantimit të kandidatit Bardh Spahia për kreun e Bashkisë së Shkodrës, kreu i grupit të “Rithemelimit”, Sali Berisha ka ftuar në debat kryeministrin Edi Rama deri në ditën e fundit të fushatës elektorale. Por sipas Berishës, Rama nuk del dot në debat sepse është i zhytur në korrupsion.

“Nuk vjen dot këtu ti, sepse në kundërshtim dhe shkelmim të ligjeve, familjarët e tu fitojnë me qindra tendera.

A nuk është akordimi i tenderave familjarëve, përdorim i pushtetit për pasurimin e tyre dhe tëndin. Baxhanaku yt është famoz, mbi 100 tendera.

Tani ka dalë thjeshtra, po i shkatërron të gjitha kompanitë e projektimeve sepse fiton nënkontraktor me një kompani të huaj çdo tender në Tiranë dhe kudo. Ndaj dhe nuk del. Në fakt unë deri ditën e fundit do ta ftoj, pas datës 14 ai do të ikën, do të marrë atë që meriton”, tha Berisha.

Berisha vuri në dukje edhe shpenzimet marramendëse që Rama kryen për interesat  e tij private.

“Por si mund ai, që me firmën e tij 430 mln euro janë shndërruar në ndërmarrje të tij dhe të Erion Veliajt.

Por si mund të vijë ai që udhëton me avion me dhomë gjumi dhe shpenzon 22 mln euro udhëtime, në një kohë kur kancelari i Austrisë udhëton me linjat tregtare.

Si mund të vijë ai, që në një kohë kur pensionistët nuk blejnë dot ilaçet, blen për oborrin e pasëm të zyrës së tij, vazo druri 4 mlneuro.

Si mund të vijë ai, që ulet në darka 10 mijë euro. Nuk mund të vijë ai. Ai vetëm vjedh, vjedh nga mëngjesi në darkë qytetarët”, theksoi Berisha.

Sipas Berishës, vota e qytetarëve shkodranë duhet të shkojë për Bardh Spainë pasi sipas tij, do të jetë një goditje fatale për pushtetin e Edi Ramës.

“Largimi i tij me 14 maj më votën tuaj, votimi juaj për Bardh Spahinë, votimi juaj për koalicionin ‘Bashkë fitojmë’ për 1-shin, është goditje fatale për monizmin dhe pushtetin e Edi Ramës.

Ndaj dhe i them Nikolës, se Zoti e ka bekuar votën tënde si misionare e vërtetë kundër monizmit, formës më të egër më të shëmtuar të sundimit të njeriut në të gjitha kohërat.

Ne kemi bërë një betejë, por mbështetja juaj ka qenë vendimtare. Edhe me 6 mars ju ishit shpëtimtarët e vërtetë të opozitës”, ka deklaruar Berisha.  /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme