Alibeaj nga Vau i Dejës: Mos rrini më peng i së shkuarës! Rama-Meta-Berisha veprojnë si aleancë okulte

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj u ka kërkuar banorëve të Vaut të Dejës që të mos mbeten më peng i së shkuarës por të pranojnë alternativën e demokratëve për të ndërtuar Shqipërinë dhe rinia të mos largohet më nga vendi.

“S’mund të rrimë ne peng të së shkuarës. S’mund të rrimë ne peng I të shkuarës 33-vjeçare. Jam shumë dakord që në qeverisjen tonë, ka pasur shembuj të cilët nuk I bëjnë nder njeriut të punës. E pra, ky është detyrimi ynë. E kemi sot dhe e kemi në dorë t’i bëjmë thirrje kujtdo banori të kësaj bashkie, kudo me zemër në dorë dhe t’i fasim për këto zgjedhje që nuk janë thjesht politike, por janë zgjedhje për njerëzit”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha se Shqipëria ka rënë në kolaps dhe për këtë akuzoi qeverinë që sipas tij po vepron si “sekt dhe nuk respekton as vetë socialistët”. Votimi më 14 maj i Partisë Demokratike, për Alibeajn do të jetë rikthimi i shpresës për vendin dhe respektimi i dinjitetit dhe vlerave njerëzore.

“Të paktën prej 10 vitesh ku sekti i rilindjes ka ardhur në qeverisje, Shqipëria ka rënë në kolaps. Edi Rama dhe qeveria e tij së bashku me bashkiaket e tij ka sjellë papunësi, varfëri, rrënim, ka sjellë kriminalitet, para të pista, oligarkë dhe betonizim. Kanë marrë në dorë pushtetin dhe kanë shkelur me  këmbë fatin e qytetarëve shqiptarë. Nuk duan t’ia dinë dhe nuk i respektojnë qytetarët dhe aq me pak demokratët. Nuk respektojnë as socialistët, sepse rilindasit e Edi Ramës janë thjeshte dhe vetëm një sekt. Janë ngritur si sekt dhe qeverisin si sekt. Ata nuk janë shumicë tek qytetarët shqiptarë, madje nuk janë shumicë as tek socialistët e ndershëm. Prej 10 vitesh, Shqipëria vuan nen peshën e çizmes së rilindjes.

Një të ardhme shumë herë më të mirë ku nderohet dhe respektohet dhe shpërblehet njeriu që punon. Ku i njihet e drejta, njeriut që ka të drejtë, ku respektohet dinjiteti dhe vlera e dinjitetit. Ndaj kësaj të ardhmja ka vetëm një rrugë. Rruga që te djathtët kanë zgjedhur dhe do ta çojnë përpara. Sepse ajo është frymëmarrja e vërtetë për Shqipërinë. E di që nuk është e thjeshtë, nuk është e lehtë, rruga drejt fitores nuk është shtruar asnjë herë me asfalt qytetarëve bashkë me ne, aktivistëve politik do të na duhet të ecim dhe në kalldrëm dhe në baltë sepse trekëndëshi mbrapsht Rama Berisha, Meta janë ata që vijojnë sulmin ndaj shqiptarëve, ndaj shumicës së shqiptarëve. E kanë nisur këtë sulm 1 vit e gjysmë në parë. Tashmë dihet ajo se çfarë ndodh me pjesën më të shëndoshë të shqiptarëve, me atë të Partisë Demokratike. Me median, me para, me oligarkë, me kërcënime dhe me shantazhe.

33 vite ku këta fosile të politikës, njeri prej 98, 2 tjetër në 2000 dhe ne ‘90, janë ata që janë ulur këmbëkryq këtu për të marrë peng fatet e shqiptarëve. Japin e marrin me njëri tjetrin në një aleancë okulte”, tha Alibeaj.

Teksa kërkoi votën për kandidaten e PD për bashkinë e Vaut të Dejës, Klomentina Drini, Aliebaj tha se “kjo burrneshë do t’i japë frymëmarrje këtij komuniteti dhe biznesit”.

“Dhe sa mirë që në këtë bashki si kurrë më parë, si në asnjë bashki tjetër e dimë fare mirë vështirësitë që ka pasur, sot  Partia Demokratike ka nxjerr një përfaqësuese, një të re, një zonjë, një burrneshë. Një burrneshë e cila është e rrethuar nga të gjitha anët thjesht dhe vetëm nga njerëz që duan t’i marrin frymën jo asaj jo, duan t’i marrin frymën bashkisë së Vaut të Dejës.

E pra, ja sa kuptimplotë është. T’i japim frymëmarrje kësaj bashkie, t’i japim frymëmarrje këtij komuniteti, t’i japim frymëmarrje biznesit, t’i japim frymëmarrje shërbimeve, sepse bashkia nuk është një lopë që mund të shkosh ta mjelësh e ta përdorësh për shantazh, e ta përdorësh për qoka, e ta përdorësh si një mjet për ta mbajtur mbyllur pushtetin dhe për të larguar çdo energji të re që në këtë vend ka dhe ka pamasë. Se shqiptarët, ata të cilët kanë lindur këtu, edhe  në këtë bashki besoj, kur kanë shkuar atje në perëndim kanë bërë hajër”, tha Alibeaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme