Opozita në Shkodër, Bardh Spahia: Kushtet e bashkimit real të strukturave dhe faktorëve garantojë fitoren

Politikë | 4 vite më parë

Bardh Spahia, ndryshe nga 6 marsi i vitit të kaluar, tani nuk ka një kandidat alternativ të opozitës. Ai beson se struktura e PD është e unifikuar në drejtimin e Komisionit të Rithemelimit dhe se ka bërë bashkë pjesën dërrmuese të faktorëve kyç në Shkodër.

“Kam bërë çdo përpjekje për bashkim për të unifikuar strukturën e PD. Pothuajse 100% në strukturë dhe mbështetësit kryesorë të PD, jemi në kushtet e një bashkimi real me ata demokratë që në 6 mars zgjodhën dikë tjetër”, tha Spahia për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.

Bardh Spahia nuk beson se rivali i tij, që ka punuar edhe me demokratët dhe nuk njihet për lidhje të forta me PS, do t’i marrë vota të paparashikuara.

“E shoh Becin pa një ofertë konkrete, pa program. Nëse nuk është dakord me linjën ideologjike të partisë së vet, apo nuk është dakord me linjën e kryeministrit për Shkodrën, do të kisha dashur të kisha dëgjuar një zë të fuqishëm kundër mënyrës së sjelljes së kryeministrit dhe qeverisjes së tij ndaj Shkodrës. Por nuk ka ndodhur. Do të kisha dashur ta shihja në pozicionin e një njeriu kurajoz që ngre zërin kundër persekutimit të Shkodrës”, tha zoti Spahia, i cili nuk sheh asnjë sinjal që shkodranët të dorëzohen para interesit ekonomik, siç i fton Rama apo Beci.

“Nëse Rama do të kishte kërkuar bashkëpunimin e bashkisë, do ta kishte gjetur derën hapur. Në 10 vjet jemi persekutuar në mënyrë drastike. Janë larguar disa drejtori qendrore. Jemi kryeqendra e Veriut pa Drejtori Arsimore, e larguar në Lezhë, pa drejtori të Bordit të Kullimit, e larguar në Lezhë, pa Drejtori SHISH, e larguar në Lezhë. Është larguar edhe Drejtoria e Arkivit Qendror për në Rrëshen, është ka larguar Gjykata e Apelit dhe Gjykata Administrative. Arsyeja është që të ulet pesha administrative e Shkodrës si kryeqendër e Veriut, gjunjëzimi i saj dhe tentativa për ta kontrolluar politikisht përmes gjunjëzimit ekonomik. Kjo ndjek një logjikë të re të një lufte klasash ndaj atyre që nuk kanë të njëjtin mendim politik me ty”, theksoi Bardh Spahia, duke ftuar shkodranët të mbështesin ofertën e tij “për t’i dhënë Shkodrës në shkëlqimin që i takon, si kryeqendër e rajonit për artin, kulturën, sportin, traditën dhe turizmin”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme