Pastrimi i qytetit, Bardh Spahia i përgjigjet Ramës: Shkodra më e pastër se Tirana

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama, se Shkodra është qyteti më i papastër në vend dhe që pastrohet 1 herë në 3 ditë.

Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH, Spahia e konsideroi deklaratën e Ramës si “propagandë”, teksa shtoi se qyteti, sipas tij, pastrohet  2-3 herë në ditë.

“Është propagandë e bazuar në të pavërteta. Frekuenca e pastrimit në qytet është 2-3 herë në ditë. Edhe në zonat malore është shtuar me nisjen e sezonit turistik. Nuk krahasohet pastrimi në Shkodër as me Tiranën, ku koshat e plehrave nuk pastrohen aq shpesh gjatë ditës”, tha Spahia në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

Gazetarja Elona Meço i kërkoi zotit Soahia një koment edhe për qëndrimin e kryebashkiakut Veliaj, sipas të cilit, nëse propozimi i Belind Këlliçit për transport urban falas do të ishte i realizueshëm, do ta bënte edhe Shkodra.

“Shkodra ka specifika të tjera, është qytet i jetueshëm, mund të shëtitet në këmbë dhe me biçikleta, siç e kemi traditë. Po e shqyrtojmë si mundësi, sepse është propozim jashtëzakonisht interesant nga Belind Këlliçi, por frekuentimi i autobusëve në Shkodër nuk ka atë intensitet dhe impakt si në Tiranë. Më duket krejt e realizueshme. Është çështje menaxhimi dhe krejt e realizueshme. Është një prej ofertave më konkrete për qytetarët e Tiranës. Ne po e shqyrtojmë, edhe pse nuk ka atë impakt si në Tiranë”, tha Spahia.

Në lidhje me marrëveshjen e qeverisë shqiptare dhe malazeze për një urë të re mbi Bunë, kryetari i Bashkisë së Shkodrës u shpreh se do të donte të realizohej, por duke iu referuar realitetit, ai nuk dukej entuziast.

“Nga studimi i publikuar nga radio “Europa e Lirë” është aspekti i parealizueshmërisë së një projekti të tillë, çfarë të bën të mendosh se janë shashka për efekte elektorale. E mendoj qe nuk është një projekt real, sepse jemi vetëm në një fazë ideje, pa studim, pa diskutim, pa dëgjesa publike”, u shpreh Bardh Spahia gjatë emisionit “Pa Censurë”, në RTSH.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme