Meta: Më 14 Maj fitojmë 61 bashkitë, ç’rrënjosim monizmin në Shqipëri

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shprehur bindjen në fitoren e 14 majit në të 61 bashkitë e vendit.
Ai deklaroi se kandidatët e “Bashkë Fitojmë” kanë platforma të shkëlqyera për të rikthyer shpresën në vend dhe për t’i ofruar qytetarëve mundësi që kandidatët e PS nuk do ua ofrojnë kurrë. Kjo pasi, siç theksoi Meta, qeverisja “Rama” ka montuar monizmin në Shqipëri.
“Shqipëria do jetë në festë pas 14 majit, sepse ka çrrënjosur monizmin.
Kjo është e rëndësishme për gjithë popullin, jo vetëm për atë opozitar por dhe për vetë socialistët që janë viktimë e këtij abuzimi dhe korrupsioni.
Bashkimi është shumë optimist, një triumf i opozitës s bashkuar.
Fitore e padiskutueshme e kandidatëve tanë, ata nuk kanë rivalë. Sepse rivalët nuk u dalin në media, pasi kandidatët tanë kanë platformë të jashtëzakonshme, ide konkrete duke ofruar zgjidhje që këta që kanë nga 5 mandate nuk i dhanë.
Së fundmi isha në Korçë dhe u impresionova nga plani i kandidates për termoizolimin e banesave të Korçës që ul kostot e jetesës, i jep goditje ndotjes së ambientit dhe sillte zgjidhje inovative dhe moderne.
Kandidatët tanë po shkëlqejnë me propozimet e tyre plot profesionalizëm”, tha Meta teksa shtoi se “Bashkë Fitojmë” është futur në garë për Vendoret, me qëllimin për të fituar në të gjitha bashkitë. Ai theksoi se koalicioni do u rikthejë qytetarëve bashkitë, e uzurpuara deri më tani nga makineria e manipulimit të zgjedhjeve.
“Nuk ka numër sepse në këtë garë të 61 kandidatët janë për të fituar. Vlerësojmë dhe respektojmë vullnetin e popullit. Në këtë garë kemi hyrë për të fituar kudo. Kandidatët po punojnë në mënyrë të shkëlqyer për ndryshimin dhe për t’u kthyer bashkitë qytetarëve.
Do jenë të pashpresë ata që mendojnë se kjo pakicë uzurpatore do prekë qoftë dhe një votë të qytetarëve.
Përfshirja e qeverisë është skandaloze. Kryeministri kudo ka nxjerrë posterat e vetë, ka hedhur miliona euro për të shpikur një kandidat që nuk ekziston”, shtoi Meta.
Ky i fundit garantoi se më 14 maj, vëmendja e gjithë botës do jetë në Shqipëri, për të parë atë që siç tha Meta, është regjimi autokratik.
“Gjithçka ka vetëm një shpjegim: krizën e jashtëzakonshme. Fakti që e vërtetë do dalë sheshit në Shqipëri dhe mbarë botën. Vëmendja e botës atë ditë do jetë e drejtuar në Shqipëri që ky është një regjim autokratik, falë korruptimit të lidershipit të opozitës dhe funksionimit të makinerisë të manipulimit të zgjedhjeve. Më 14 maj e vërteta do dalë sheshit, në të gjitha ekranet e botës”, theksoi Meta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



