Këlliçi: 5 prioritetet që sjellin ndryshimin në Laprakë

Politikë | 4 vite më parë

Në turin e tij zgjedhor kandidati i grupimit opozitar “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi ka biseduar me banorët e Laprakës.

Ai ka vlerësuar se kjo zonë është lënë në harresë, pa investime në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime, shkolla e qendra shëndetësore.

Por sipas zotit Këlliçi tashmë shumë familje kërcënohen edhe me humbjen e pronës. Pas projektit të Unazës së Re, projekti i hekurudhës, është ai që rrezikon t`u shkatërrojë banesat rreth 70 banorëve. Zoti Këlliçi tha se zgjidhja e këtij problem nuk do të jetë prishja e banesave, por ndërtimi i një mbikalimi.

Teksa pa nga afër situatën në të gjitha zonat që preken nga projektet infrastrukturore, Belind Këlliçi garantoi banorët se të gjithë do të dëmshpërblehen ose me vlerën e tregut, ose do të marrin metrat katror siç i kanë pasur më parë.

“Pa diskutim të gjithë rastet do të trajtohen një për një, siç kemi thënë tek “5 Maji”, do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut. Do trajtohen të gjitha atyre që u preket shtëpia. Edhe ata me dokumenta edhe ata pa dokumenta do trajtohen do të gjejnë të gjithë zgjidhje” premtoi zoti Këlliçi.

Kandidati i “Bashkimit për Fitore” për Bashkinë e Tiranës sulmoi kreun e saj Erion Veliaj për mungesën e ujit të pijshëm në Laprakë, ndërsa takoi disa banorë që po mbushnin ujë nga autoboti.

“Ja uji i Erion Velisë! UKT-ja  e Laprakës! Ja uji i pijshëm që vjen! Po mos të jetë ky furgon, po mos të jetë ky ujë, s’kanë ujë banorët! Ftojeni pyeteni Erion Velinë, merreni njeherë e di ai këtë situatë? Ai që thotë ka 24 orë ujë të pijshëm në Tiranë” tha Belind Këlliçi. Ai u shpreh se edhe në Laprakë do të punohet që ujë të ketë mesatarisht 14 orë në ditë, ndërsa renditi edhe disa nga prioritet e tij për zonën.

Një tjetër problem, i denoncuar dhe më herët nga shtabi elektoral i Belind Këlliçit, është infrastruktura e amortizuar në Laprakë.

“Ja rrugët e bashkisë Tiranë, këto janë rrugët që s`dalin kurrë në media, shihini vet nuk ka nevojë për komentet e mija, flasin vetë rrugët. Po të gjitha kështu janë në Laprakë, gjithë këto rrugë kështu janë. Erion Veliaj thotë kemi bërë investimet më të mëdha në Laprakë në 30 vjet ” tha zoti Këlliçi.

Në takime me bizneset në Laprakë, ai paraqiti programin për uljen e taksave dhe tarifave vendore.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme