Zgjedhjet lokale/ Bejko takim me përfaqësues të biznesit: Do krijojmë tri zona të lira ekonomike në Krrabë, Arbanë dhe Ndroq

Politikë | 4 vite më parë

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi këtë të enjte (27 prill) një takim me përfaqësues të biznesit, të cilëve u prezantoi programin e tij.

Bejko premtoi se do të heqë taksën e infrastrukturës arsimore dhe sportive, do të përgjysmojnë taksën e pastrimit për bizneset, si dhe të gjitha taksat vendore.

“Çfarë i duhet ekonomisë. Më pak gjoba, më pak presion nga ana e punonjësve të bashkisë dhe më shumë komunikim për të krijuar një lloj relaksi, për të kuptuar që bashkia dhe biznesi nuk janë armiq, nuk janë macja dhe miu, por janë partner. Bashkia që në do të drejtojmë, nëse qytetarët na japin besimin, Bashkia do të jetë në dispozicion për të trajnuar falas të punësuarit që merren me pagesat e taksave vendore të çdo biznesi në mënyrë të tillë që gjobat të mos jenë normalitet për bizneset, por raste përjashtimore. Qëllimi është jo ta ndjekim biznesin dhe ta gjobisim, por ta ndihmojmë që të mos gabojë. Nëse arrimë të krijojmë këtë lloj komunikimi edhe biznesi do ndihet më i relaksuar, do ketë më shumë besim dhe do kërkojë të bashkëpunojë me bashkinë“, deklaroi Bejko.

Ai premtoi edhe më shumë mbështetje për fermerët vendas, teksa u shpreh se do të ndërtohen 5 qendra polifunksionale në hyrje dhe dalje të Tiranës, në Kamzë, Kashar, Vaqarri, Lundër dhe zona e Tufinë, në të cilat, sipas Bejkos, do u jepet prioritet prodhimeve vendase.

“Ne do të jemi të parimit që prodhimet vendase, sidomos që vijnë nga bashkia e Tiranës, të jenë prodhime që dominojnë tregun dhe për këtë do aplikojmë   politikat e konceptit të konsumit me kilometrin zero. Prodhimet vendase të fermerëve të bashkisë së Tiranës edhe banorëve të fshatrave do jenë ato që do marrin prioritet duke u krijuar lehtësira në treg. Do ngrihen 5 tregje publike në pesë pole multifunksionale. Do ndërtojmë 250 km rrugë rurale që i mungojnë kurorës së Tiranës, me qëllim që produktet familjare të fermave të dalin lehtësisht në tiranë dhe të aksesojnë në këto tregje që ne kemi menduar në këto pesë hyrje të qytetit. Bashkia do të ofrojë grante financiare për mbështetjen e aktiviteteve të biznesit të vogël e të mesëm, që veprojnë në fushat klasike dhe në ato inovative sipas mënyrës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi, duke garantuar akses të balancuar gjinor”, tha Bejko.

Po ashtu, ai shtoi se do të krijohen edhe tri zona të lira ekonomike në zonën e Krrabës, Arbanës dhe Ndroqit.

“Këto zona të lira ekonomike do të nxisin iniciativën e këtyre fermerëve. Bizneset që do punësojnë mbi 50 punëtorë do subvencionohen edhe nga ana e bashkisë që përshembull mund të marrë përsipër të paguajë sigurimet shoqërore me qëllim që biznesi të nxitet për të punësuar më shumë punëtor. Në zonat rurale do të nxitet turizmi malor, agroturizmi dhe kulinaria. Interaktiviteti mes zonës rurale dhe urbane do jetë miqësore dhe i aksesueshëm“, u shpreh Bejko.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme