Presidenti kroat: Të ndihmojmë Shqipërinë të integrohet në BE, ndryshe do ta bëjë dikush tjetër

Gjatë konferencën së përbashkët për mediat me kreun e shtetit shqiptar Bajram Begaj, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka deklaruar se vendi i tij e mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ndërsa theksoi se Perëndimi e paragjykon si vend me shumicë myslimane.
“Dëshiroj të jap përkrahjen time të plotë dhe nuk do të humb asnjë rast për të theksuar se sa e rëndësishme është që Shqipëria të bëhet pjesë e shoqërisë evropiane sa më shpejt të jetë e mundur pasi supozoj që e vetmja arsye janë paragjykimet ndaj Ballkanit.
Nuk dua të gaboj këtu, Shqipëria, teknikisht, në shumicë është një vend i banuar me qytetarë të besimit mysliman dhe jo vetëm. Kjo siç duket, në Evropën Perëndimore është bërë një problem”, u shpreh Milanoviç.
Kreu i shtetit kroat ka theksuar gjithashtu se Shqipëria duhet ndihmuar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian pasi në të kundërt sipas tij, do ta bëjë dikush tjetër.
“Ky është fakt, kundër këtij fakti nuk mund t’i luftojmë përveçse me fjalë. Këtë e kam thënë këtë edhe 10 vite më parë në Tiranë si kryeministër, por asgjë nuk ka ndryshuar.
Nëse nuk do ndihmojmë Shqipërinë që të bëhet sa më parë pjesë e Perëndimit, do vijë dikush tjetër. Besoj se kjo është mjaft e qartë”, deklaroi Milanoviç.
Gjatë konferencës për mediat u diskutuan edhe raportet mes dy vendet si edhe fushat e bashkëpunimit. Milanoviç vuri theksin në domosdoshmërinë e lidhjes përmes infrastrukturës rrugore të portit të Durrësit me atë të Plloçës për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




