Rama: Nëse votoni Berishën dhe Metën, Perëndimi do na mbyllë qepenin

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me banorët e Mallakastrës në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit ka deklaruar se nëse shqiptarët do të zgjedhin kandidatët e Sali Berishës dhe Ilir Metës, atëherë Perëndimi do i kthejë shpinën Shqipërisë.
“Zgjedhjet e 14 majit, shkojnë përtej këtyre çështjeve sepse prek një çështje thelbësore për vendin tonë.
Duam të jemi një vend që respektohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht dhe që shikohet si një shtet serioz nga të gjithë partnerët tanë apo duam që ta na mbyllin qepenin për shkak të dy njerëzve që njëri e ka nongratën në ballë dhe tjetri që e ka nongratën prej kohësh. Kush mendon që s’ka kthim mbrapa të mundshëm, gabon”, është shprehur Rama.
Sipas Ramës, historia e politikës shqiptare në 30 vitet e fundit ka treguar qartë mënyrën e qeverisjes mes drejtuesve të së majtës dhe të së djathtës.
“Historia 30-vjeçare duhet të na ketë mësuar disa gjëra; sa herë iu është dhënë mundësia që të drejtojnë një komunë apo bashki, ato kanë bërë mbrapa. Sa herë na është dhënë ne mundësia, komuna, bashkia apo fshati dhe vendi ka ecur përpara.
Të krahasosh ne me ata është si të krahasosh ditën me natën. Unë e godita zorrën time qorre, ndërsa së bashku duhet të godasim zorrën qorre më 14 maj”, theksoi Rama.
Ai shtoi se në 14 maj vota nuk duhet të vihet në diskutim pasi sipas tij “mundësia që të jep demokracia është mundësi e madhe që ti vendosësh se kë duhet të marrë qyteti në punë, për t’u shërbyer qytetarëve”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




