Presidenti Begaj nis nesër vizitën shtetërore në Kroaci

Presidenti Bajram Begaj nis të mërkurën (26 prill) vizitën shtetërore në Kroaci, në kuadër të intensifikimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Vizita e kreut shqiptar në Kroaci vjen me ftesë të homologut Zoran Milanoviç.
Në ditën e dytë të vizitës së tij (27 prill), presidenti Begaj do të mirëpritet sipas ceremonive të nderit dhe të mirëseardhjes, për të vijuar axhendën zyrtare të bisedimeve me homologun kroat, duke u fokusuar tek marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi rajonal, rrugëtimi evropian i Shqipërisë, si dhe zhvillimet e tjera me ndikim në çështjet e paqes dhe sigurisë.
Po ashtu, në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidenti Begaj do të pritet në takime të veçanta nga Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, si dhe Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrakoviç. Përpos tyre, kreu i shtetit do të zhvillojë edhe një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare.
Të premte (28 prill), Presidenti Begaj nën shoqërimin e homologut kroat, do të vizitojë e takohet me Arbanasit e Zarës (Zadarit). Ky aktivitet përmbyll dhe vizitën shtetërore të Presidentit Begaj e delegacionit të tij në Kroaci.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




