Alibeaj nga Patosi: Pas 15 majit zgjedhim drejtuesit e PD! Ftojmë në aleancë partitë për të rrëzuar trekëndëshin Rama-Berisha-Meta

Politikë | 4 vite më parë

Partia Demokratike do i nënshtrohet një procesi organizmi për zgjedhjen e organeve drejtuese të saj me një proces demokratike duke lënë pas traditën berishiste. Kjo do të ndodh pas zgjedhjeve të 14 majit, ndërsa kryetari i Komanduar i PD, Enkeljed Alibeaj tha se kjo do të sjellë një hap të ri për partinë duke lënë pas gjuhen e dhunës dhe ndërtimin e një aleance me shumë potencial për vitin 2025.

“Ne do të i futemi një procesi organizimi të brendshëm elektoral, tërësor dhe kapilar, për tu rikthyer në pushtetin lokal me sa më shumë bashki dhe këshilltarë për t’i dhënë jetë demokracisë lokale pas zgjedhjeve të njëanshme të vitit 2019. Kandidatët tanë do të jenë fryma euroatlantiste në politikën shqiptare. Ata do të jenë nismëtarët e rikthimit të demokracisë shqiptare në shinat e normalitetit, në shinat e standardeve. Do të jenë kandidatët që jo vetëm politikisht por edhe praktikisht do t´i hapin bashkitë pranë qytetarëve.

PD mbas 15 majit do t’i nënshtrohet një procesi kapilar për zgjidhjen e organeve drejtuese të saj, duke iu futur një procesi të gjerë demokratik me rregulla të reja, me parime të reja, për ta lënë pas traditën berishiste, për t’u ndarë nga e kaluara e për të bërë një hap të ri, për ta lënë pas gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes dhe për të mundësuar ndërtimin e një aleance me shumë potencial për vitin 2025”, tha Alibeaj.

Nga Patosi ku prezantoi kandidatë e PD për Bashkinë Patos, Pranvera Rizai, Alibeaj ftoi të gjitha partitë parlamentare ose jo të djathta dhe të qendrës për të krijuar një aleancë të fortë për të rrëzuar trekëndëshin e të shkuarës Rama-Berisha-Meta.

“Ne do të jemi konkurrentë seriozë dhe të qartë në këto zgjedhje vendore, edhe pse koha është e shkurtër, edhe pse rrethanat janë të vështira. Ne ftojmë në një aleancë politike të gjitha partitë parlamentare ose jo, nga qendra në të djathtë të cilët janë për idealet euroatlantike, janë për orientimin perëndimor të Shqipërisë, janë për të luftuar dhe rrëzuar trekëndëshin e Bermudës të përfaqësuar nga tri pikat simbolike të tij Rama-Berisha-Meta që përbëjnë të shkuarën, që janë problemi dhe asesi zgjidhja. Kjo aleancë me qëllim strategjik kërkon që të trajtohet edhe pas 15 majit si një përqendrim dhe bashkim i shumicave demokratike. Këta  jemi ne, demokratët e Shqipërisë”, tha Alibeaj.

Enkelejd Alibeaj nuk ka kursyer as akuzat për Sali Berishën ku tha se qëllimi i tij është ta kthejë Partinë Demokratike në një bunker dhe lëvizje anti-amerikane.

 “Sali Berisha ka tri motive për këtë sulm të pashembullt ndaj partisë sonë. Së pari, ai kërkon ta kthejë Partinë Demokratike në një bunker anti-amerikan, për t΄u mbrojtur nga veprimi i drejtësisë për akuzat që i janë bërë nga aleatët tanë të mëdhenj. Së dyti, kërkon të marrë monopolin e opozitës dhe, duke bërë këtë, të vazhdojë t΄i japë oksigjen qeverisë së Edi Ramës.

Së treti, e sulmon partinë tonë për të krijuar një lëvizje anti-amerikane në Shqipëri. Ai e quan lëvizjen e tij sovranizëm, përdor sloganin “Shqipërisë i dalim zot”; por të gjithë e dimë se shtetet europiane e kanë deleguar sovranitetin te NATO dhe Bashkimi Europian. Në rast lufte nuk na del zot Sali Berisha dhe ata që i shkojnë pas, por NATO, sipas nenit 5 të traktatit të saj. A mos e ka fjalën Sali Berisha se i del zot Shqipërisë kundër Amerikës?

Për t΄i arritur qëllimet e veta që bien ndesh me ato të Partisë Demokratike, Sali  Berisha bashkëpunon edhe me Ilir Metën edhe me Edi Ramën. Pa kurrfarë morali politik, pa respekt për traditën, për kujtesën dhe historinë e demokratëve”, tha Alibeaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme